Kosova
‘Jam i PAFAJSHEM nëse dështon Kosova’, Albin Kurti lan duart
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, teksa u distancua nga përgjegjësia në rast se vendi dështon t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, deklaroi se “nuk ka faj” për “mungesën e përkrahjes” nga “shtetet demokratike” që kërkuan “sinjale të qarta” para se ata të bien dakord për pranimin e Kosovës.
“Përgjigja në pyetjen se çfarë do të bëhet me anëtarësimin e Kosovës nuk duhet të kërkohet në Prishtinë. Ne nuk kemi përgjegjësi e as faj sepse kemi plotësuar gjithçka” – shtoi kreu i ekzekutivit, teksa komentoi kërkesën e partnerëve të QUINT-it që draftstatuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të procedohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës i takon ministrave të jashtëm të shteteve anëtare që pritet të mblidhen në mes të majit në Strasburg të Francës. E për të marrë dy të tretat e votave, vendi i vogël ballkanik duhet të çojë “pesha të rënda” nëse dëshiron që përfundimisht të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër.
“Ne presim që gjithçka të shkojë mbarë e mirë më 17 maj, por siç e dini, nuk varet veç prej nesh, varet prej atyre që votojnë atje. Pra, janë vendet anëtare të cilat me ministrat e tyre të punëve të jashtme do ta thonë fjalën e fundit”- theksoi kryeministri Kurti pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ku njoftoi se s’do t’i pranojë kushtëzimet shtesë të Francës dhe Gjermanisë.
Megjithatë, disa liderë evropianë, posaçërisht presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke marrë parasysh faktin se përkundër zotimeve, ekzekutivi kosovar s’e ka bërë asnjë hap drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kërkojnë shtyrjen e vendimmarrjes për Kosovën – për të paktën një vit, nëse jo më shumë. Përveç nëse bëhet progres javët në vijim.