Connect with us

Politike

“Janë rreth 1.1 mln emigrantë”/ Celibashi e pranon: Vota e diasporës e pamundur…

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e konsultimit të projekt vendimit për regjistrimin e votuesve nga jashtë vendit për zgjedhjet e përgjithshme të 2025, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nuk është shumë optimist se diaspora do ta ketë të mundur të votojë 100 përqind në zgjedhjet e ardhshme.

Gjatë një bisede në studion e Klan News, Kryekomisioneri Celibashi sqaroi mënyrën se si do të funksionojë ky proces që pritet të aplikohet për herë të parë.

Ilirjan Celibashi, Kryekomisioner KQZ: Duke qenë hera e parë është pak e vështirë që të arrihet votimi 100% sepse as këtu për votuesit që janë brenda vendit nuk është se gjithë ajo masë e tyre voton 100%.

Por cilët do të jenë hapat që do të ndjekë një shtetas shqiptar që jeton jashtë vendit për të shprehur votën e tij?

Ilirjan Celibashi, Kryekomisioner KQZ: Shprehja e interesit të tijpër të marrë fletën e votimit atje ku ai ka vendbanimin do të bëhet përmes një plaftorme elektronike e cila do të ndërtohet dhe mirëmbahet nga KQZ. Do të jetë e aksesueshme si në web, por edhe në formë aplikacioni në telefon apo tablet.

Si do jetë procedura për të dënuarit?

Ilirjan Celibashi, Kryekomisioner KQZ: Nuk ka sesi të votojë. E para ka disa ndalime që lidhen me legjislaionin tonë penal, por edhe me regjimin e vuajtjes së dënimit të vendeve të ndryshme.

KQZ ende nuk ka një shifër të përafërt të numrit të atyre që do të votojnë nga diaspora, por Celibashi llogarit përafërsisht 1.1 milionë nga 3.6 gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa nuk ka ende një kosto se sa do të kushtojë ky proces.

Ilirjan Celibashi, Kryekomisioner KQZ: Po varet nga numri i atyre që do të marrin pjesë në votim. Llogaritur një kosto për votues që shkon nga 10, 15 minimumi apo 30 apo 40 apo më shumë në ndonjë rast, ka kosto. Sot ne nuk e kalkulojmë dot sepse do të duhet të dimë sa është numri i atyre që do të regjistrohen, shumëzuar me koston për një votues të dërgimit të fletës së votimit dhe pak a shumë del kosto. Ka edhe kosto të tjera. Është edhe kostoja e ndërtimit të platformës apo edhe shërbimeve të tjera.

I pyetur në lidhje me zgjerimin e aplikimit të votimit elektronik, Kryeminisioneri tha se edhe këtë herë do të jetë e pamundur që procesi të shtrihet në më shumë se 1 apo 2 qarqe.

Advertisement