Connect with us

Kronike

Jashar Maja bën deklaratën e fortë: : Policia i ka frikë Rrajat, do bëj vetëgjyqësi

Detaje të reja janë bërë me dije nga ngjarja në Krujë, ku u plagosën Jashar e Bilbil Maja, nga anëtarë të fisit të deputetit të PS, Rrahman Rraja.

Vetë Jashar Maja ka treguar edhe një herë të gjithë dinamikën e ngjarjes, teksa ndodhej në një lokal duke pirë kafe bashkë me kushëririn e tij, po ashtu i plagosur rëndë, dhe një inxhinier të gurores, e cila dyshohet se ishte dhe shkaku i ngjarjes.

Jashar Maja ka thënë se ata ishin duke diskutuar me inxhinierin për mundësinë që shpërthimi i minave të ishte më i butë, pasi u janë dëmtuar banesat.

Gjatë këtij momenti kanë mbërritur një grup personash nga fisi Rraja dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tyre me shkopa bejsbolli dhe qytën e armës. Sipas Jashar Majës, ai ka parë vëllanë e deputetit, Xhelalin, i cili kishte pistoletë në dorë.

Ai ka treguar se ka mbetur pa ndjenja, teksa sipas tij policia ka mbërritur dy orë me vonesë, pasi i tremben këtij fisi. Jashar Maja u bën apel autoriteteve ligjzbatuese, duke kërkuar që të arrestohen dhe dënohen të gjithë personat që morën pjesë në këtë sulm, për ndryshe thotë se do të bëjnë vetëgjyqësi.

“Ishim në prani të një inxhinieri të gurores dhe po diskutonim për minat, që t’i bëjnë më të buta shpërthimet sepse po na shembin shtëpinë. Menjëherë kanë ardhur fisi Rraja, me armë me shkopinj bejsbolli, na kanë dhunuar brutalisht deri sa të dy kemi rënë pa ndjenja. Kur kam ardhur në vete kam shkuar dhe kam ndihmuar çunin e xhaxhit, kemi dalë në xhade dhe kemi njoftuar policinë.

Pas dy orësh kanë ardhur se kishin frikë me këta persona. Nuk kanë njoftuar as ambulancën. Na shoqëruan me një makinë dhe kemi shkuar në spital më pas. Bilbili është shumë keq, unë kam dëmtime por jam pak më lehtë. Bilbili ndodhet në një klinikë private sepse ka thyerje dore, këmbë, shpatull, ka shumë të çara në kokë.

Kanë qenë tre veta me armë, Xhelal Rraja, atë që e kam njoh. Disponojmë dhe një video që e kanë nxjerrë po ata, nuk e di pse e kanë nxjerrë. Me dash shteti i verifikon. Unë i bëj thirrje shtetit që t’i dënojë sa i parashikon ligji nëse nuk e bën do bëj vetëgjyqësi sepse skam çfarë të bëj.

Përparimi ka një gurore, për shkak se kemi protestuar sepse na kanë plasur shtëpitë nga minat, për këtë kemi protestuar dhe kemi denoncuar. Nuk na është hapë asnjë derë. Shkojmë te policia na thonë mos shkoni te gurorja se do t’u marrim të pandehur. Ne jemi të dëmtuar nga çdo anë, ajo gurore prapë vazhdon aktivitetin. Kemi shumë dëmtime në banesë, janë të plasaritura nga shpërthimi i minave.

Ne nuk kemi as mbrojtje as ka ardhur policia të na pyes a jemi gjallë apo kemi vdekur.

Unë kërkoj të vihen autorët të gjithë të marrin dënimin përkatës, ose do ta kthej në vetëgjyqësi. Xhelal Rrajas nuk ia fal sa të jem gjallë sepse nuk i kam faj. E kam bërë shtëpinë me djersë.

Kur na sulmuan nuk na folën fare, vetëm na ofenduan. Më kanë goditur edhe me armë, edhe me shkop bejsbolli.

Kryesorët që kanë qenë me armë dhe kanë kryer dhunën, nuk janë arrestuar, sepse nuk ka kapacitet ky shtet me i kap. Për këtë gurore jam bërë kështu, se kam bërë me pisllëk sikur janë ata. Nuk kam shkuar unë te Rrajat, por kanë ardhur ata tek unë. Kryesorët e kësaj ngjarjeje janë të lirë”, u shpreh ai.

Advertisement