Aktualitet
Jashtë kontrollit zj’arri në Borsh, turistët dhe banorët në panik

Borshi po përballet me një situatë shumë problematike për shkak të zjarrit që ka dalë jashtë kontrollit.
Ndërhyrjet po bëhen si nga toka, ashtu edhe nga ajri, por flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë krijuar panik tek turistët, sidomos gjatë natës, pasi zjarri i është afruar aksit nacional Vlorë–Sarandë.
Gazetari Enrik Mehmeti raporton se ndërhyrja emergjente kërkohet urgjentisht në këtë zonë, ku banorët pretendojnë për neglizhencë nga autoritetet, duke theksuar se duhej të ishte vepruar që në momentet e para, për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Edhe në fshatin Kaninë, situata ishte kritike gjatë natës së kaluar për shkak të një masivi zjarri, por falë angazhimit të forcave zjarrfikëse dhe ndihmës së banorëve, është arritur një përmirësim i ndjeshëm.
“Ka qenë e mundur që në momentet e para të vihej situata në kontroll, e për pasojë të shmangej e gjithë kjo gjendje. Forcat zjarrfikëse kanë qenë të shpërndara edhe në zona të tjera me vatra aktive. Banorët kanë bashkëpunuar me efektivët në terren si në Kaninë dhe në Borsh”, raporton Mehmeti.
Sot pritet një rritje e ndjeshme e erës, çka rrit rrezikun për shtimin e vatrave të reja zjarri dhe vështirëson ndërhyrjen nga ajri.

