Kosova
Javë fatale me dëme kolosale, u pranua Asociacioni pa njohje të ndërsjellë
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës , Enver Hoxhaj, e ka konsideruar javën që shkoi, si “fatale” dhe me pasoja “kolosale” për Kosovën dhe të ardhmen,kjo pas zhvillimeve të fundit në dialogun Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku u pranua drafti evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se u pranua Asociacioni, që sipas tij është “autonomi”, dhe kjo u bë pa njohje të ndërsjellë, pa anëtarësim në NATO dhe OKB, dhe 24 shtatori, si akt agresioni, “kaloi si një ngjarje pa asnjë rëndësi dhe nuk solli asnjë përfitim për Kosovën dhe asnjë sanksion për Serbinë”.
“Është koha që Qeveria të marr përgjegjësi politike dhe të tregoi transparencë, duke publikuar çdo gjë çfarë është pranuar, por, është koha gjithashtu që qytetarët të braktisin komplotet populiste dhe fantazitë e Albin Kurtit që Kosovën e betonoi në pafundësi me status-quo” – vlerësoi ish-kryediplomati kosovar.
Javën që shkoi, siç pohoi ai, “u hoq dorë përfundimisht nga qëllimet për të realizuar idealet themeluese të Kosovës së pavarur dhe përmbylljen e shtetësisë së saj!”.
Dikur si opozitar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kauzën më të madhe politike kishte pasur kundërshtimin për Asociacionin. Madje, për ta kundërshtuar këtë, ai dhe partia e tij kishin organizuar protesta masive dhe hodhën gaz lotsjellës brenda hapësirave të kuvendit.
Tani si Kryeministër, Albin Kurti ka pranuar që ta zbatojë Asociacionin. Kjo u konfirmua nga vetë ai, por edhe liderët evropianë, të cilët pohuan se Kurti u ka premtuar se do ta zbatojë këtë mekanizëm.