Kosova
Jo Hoxha Ali, por Ali Hoxha, Gërvalla ‘fshin’ Brukselin nga lista
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se politika e jashtme e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk bëhet në Bruksel, pra kryeqendrën evropiane, por, sipas saj, në kryeqytetet e Unionit.
Këto komente, Gërvalla i bëri në një intervistë teksa po thoshte se pse ende nuk janë larguar masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të vendosura në qershor, për shkak të refuzimit të qeverisë për teshtensionuar situatën në Veri, teksa tha se nuk ka pasur unitet brenda Unionit për vendosjen e këtyre masave.
Kryediplomatja kosovare gjithashtu theksoi se “nuk kemi informacion se kur do të hiqen” masat.
“Nuk kemi asnjë analizë të Brukselit, prandaj dua të bëjë një dallim shumë të qartë ndërmjet Brukselit dhe shteteve anëtare të BE-së, nuk kemi një analizë dhe një kërkesë të saktë të BE-së se çfarë duhet të bëjë Kosova që ato masa duhet të hiqen”, shtoi ministrja e kabinetit Kurti.
“Në Bruksel është e vërtetë që e kemi përfaqësuesin për Politikë të Jashtme Borrell, kemi një person që merret me negocimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo politika e jashtme e shteteve anëtare të BE-së bëhet në kryeqytetet e BE-së, dhe nuk bëhet në Bruksel, dhe këtë e tregon edhe fakti sesi shtetet anëtare të BE-së vazhdimisht, shikoni në raport me Ukrainën, janë kryeqytetet që thonë fjalën vendimtare dhe jo kryediplomati Borrell” – potencoi Donika Gervalla