Sport
Jorge Jesus drejt Al Nassr? Portugezi mund të ribashkohet me Ronaldon

Dhjetë vite pas largimit nga Benfica drejt rivalëve të Sportingut, Jorge Jesus mund të jetë gati për një tjetër lëvizje të drejtpërdrejtë mes “rivalëve”, këtë herë në Arabinë Saudite. Trajneri 70-vjeçar portugez, i cili në fillim të majit u largua nga Al Hilal, është një nga emrat që po shqyrtohet seriozisht nga drejtuesit e Al Nassr.
Skuadra saudite ka zyrtarizuar ndarjen me trajnerin Stefano Pioli, i cili pritet të rikthehet në Serinë A për të drejtuar Fiorentinën. Pas konfirmimit të largimit, Cristiano Ronaldo i dha lamtumirën trajnerit me një mesazh në italisht në rrjetet sociale.
Sipas burimeve të “A BOLA”, Jorge Jesus është ndër alternativat kryesore për të marrë drejtimin e skuadrës së Cristiano Ronaldos. Al Nassr synon të ndërtojë një projekt të fuqishëm për sezonin e ardhshëm dhe të luftojë seriozisht për titujt dhe për këtë arsye kërkon një emër me përvojë dhe autoritet.
Në listën e kandidatëve është edhe një tjetër trajner portugez, Sergio Conceição, i cili shihet si një opsion serioz për stolin e Al Nassr. Ndërkohë, Luciano Spalletti ka refuzuar ofertën e klubit arab, duke e shtyrë edhe më shumë drejt një trajneri nga gadishulli Iberik.
Al Nassr ka një histori të gjatë me trajnerë portugezë, duke nisur me Artur Jorge, i cili, në mënyrë interesante, bëri rrugën e kundërt nga ajo që mund të ndjekë Jorge Jesus, duke kaluar nga Al Nassr tek Al Hilal. Pas tij kanë pasuar emra si Mariano Barreto, Hélder Cristóvão, Rui Vitória, Pedro Emanuel, Marcelo Salazar dhe së fundmi Luís Castro.
Nëse konfirmohet, rikthimi i Jorge Jesus në skenën saudite do të sjellë jo vetëm një emër të madh në stol, por edhe një përballje interesante me të kaluarën e tij në Al Hilal, tashmë në drejtimin e rivalëve të Al Nassr.
© SYRI.net

