Sport
Juventusi ‘sms’ rivalëve me pesë fitore radhazi, mposht 2-0 Veronën! -6 nga Interi kryesues

Eliminimi nga Champions League dhe nga Kupa e Italisë ka bërë që Juventusi të fokusohet vetëm në kampionat. Për javën e 27-të në Serie A, ‘Zonja e Vjetër’ mposhti 2-0 Veronën në ndeshjen e zhvilluar të hënën në mbrëmje në Torino.
Sfida për bardhezinjtë nuk ishte e lehtë, paçka se dominuan me raste. Në ekstremin e pjesës së parë miqtë shënuan me Suslov, por gjithçka u anulua për pozicion jashtë loje.
Në fraksionin e dytë bardhezinjtë prodhuan mjaft raste, por topi ‘nuk donte të hynte’ në rrjetën e miqve. Duhej një aksion i bukur në minutën e 72-të dhe pasimi final i Cambiasos, që Thuram të gjente rrjetën dhe të qetësonte Mottën në stol.
Vendasit nuk i ndalën sulmet dhe përfituan në fund nga një pakujdesi e Veronës, duke shënuar golin e dytë me Koopmeiners në minutën e fundit. Pesë fitore radhazi në Serie A për Juventusin që pas javës së 27-të e sheh veten në pozitën e katërt me 52 pikë, gjashtë më pak se Interi kryesues. Para tyre edhe Napoli e Atalanta.

