Kronike
Ka qenë gjithë natën me 5 persona, zbardhet dëshmia e 21-vjeçares që alarmoi RENEA
Forcat speciale të RENEA-s ndërhynë në një apartament në një pallat në Astir, aty ku këtë të enjte u ngujua një 21-vjeçarja Sajma Qordja.
Në lidhje me këtë rast ka sjellë detaje të reja gazetari Merin Maçi. Ai u shpreh se vajza ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe pas disa orësh i është marrë një dëshmi.
Ajo rrëfeu se mbrëmjen e djeshme ka qenë nën shoqërinë e 5 personave, 2 vajzave dhe 3 djemve. Vajzat, sipas gazetarit, janë shoqëruar nga policia, ndërsa po kërkohet të shoqërohen edhe djemtë.
21-vjeçarja është shprehur se ka qenë e rrezikuar pasi personat që kanë qenë me ta kanë qenë të armatosur.
“Ka rrëfyer se në banesë prej mbrëmjes së djeshme ka qenë nën shoqërinë e 5 personave të tjerë, dy vajzave dhe tre djemve. Nuk ka arritur t’i identifikojë të gjithë duke u shprehur se nuk i kujton personat në fjalë, vetëm dy vajzat ka identifikuar. Të paktën nga informacionet që unë kam ato pak minuta më parë janë shoqëruar nga policia, ndërkohë për tre djemtë është shprehur se mund t’i identifikojë në momentin që mund t’i shohë.
Ajo pretendon se nuk është dhunuar, por kujton se kanë qenë me armë personat në fjalë dhe ka qenë e rrezikuar gjatë gjithë kohës që qëndronte me ta. Këto deklarime janë vërtetuar edhe me verifikimet që janë bërë me pamjet filmike dhe personat janë identifikuar tashmë dhe po kërkohen për t’u shoqëruar”, u shpreh Maçi në emisionin “Opinion”.
Gazetari tha se mbetet për t’u parë nëse vajza ka qenë gjatë gjithë natës nën efektin e lëndëve narkotike apo nëse është abuzuar me të.
Policia ka identifikuar të dashurin e vajzës 21 vjeçare e cila alarmoi dje RENEA-n. Joni Sadikaj rezulton të ketë marrë me qira ditore AirBNB 2 apartamentet në katin e 8-të të pallatit në zonën e Astirit.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur dhe 3 djem të tjerë.
Po kush është Joni Sadikaj
26 vjeçari nga Tepelena rezulton një emër i njohur për policinë. Në korrik 2022 Joni Sadikaj u arrestua pasi iu gjet me vete një armë pa leje, një krehër si dhe municion luftarak.
I riu ndodhej së bashku në një makinë me dy persona të tjerë, dy vëllezërit nga Tirana, 31-vjeçarin Egest Sinaj, i cili drejtonte mjetin si dhe 30-vjeçarin Indrit Sinaj, pasagjer.
Ndërkohë në korrik 2017 rezulton të ketë qenë mes personave të arrestuar si posedues të 1.3 ton droge të sekuestruar në zonën e “Plazhit të Gjeneralit” në Kavajë.
LAJMI NE PERDITESIM
Policia e Tiranës me urdhër të Prokurorisë ka shpallur në kërkim tre persona të dyshuar për ngjarjen e Astirit ku një 21-vjeçare e mbyllur në banesë alarmoi forcat speciale.
Burimet e gazetares Anila Hoxha thanë se tre të rinjtë janë nga qyteti i Vlorës dhe janë persona me probleme penale.
Ata dyshohet se e kanë sjellë kokainën me të cilën është festuar një natë para ngjarjes, ndërsa gjurmët e tyre jane gjetur në armët pistoletë me silenciator.
Po ashtu, është kryer akt ekspertizë gjatë mbrëmjes në trupin e 2q -vjeçares, por paraprakisht thuhet se nuk ka shenja dhune.
E reja kishte lidhje me njërin nga djemtë për të cilin babai nuk ishte dakord dhe sipas kamerave ka shkuar në banesën e marrë me qira ku edhe qëndronin zakonisht.
Oficerët dyshojnë se për shkak të gjendjes së saj nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, “miqtë” duhet ta kenë mbyllur në banesë dhe nuk përjashtohet mundësia që ndaj tyre të ngrihet akuza edhe për heqje të paligjshme të lirisë.