Connect with us

Bota

Ka shpërthyer mbi 50 herë, rreziku rritet… / VIDEO

Rritet rreziku për shpërthimin e vullkanit Mayon në Filipinet qendrore , i cili po derdh llavë dhe lëshon gazra të dëmshëm dhe mund të duhet të qëndrojnë larg shtëpive të tyre për muaj të tërë.

Autoritetet theksojnë se lava buron nga krateri i vullkanit Mayon 2462 metra i lartë, zona e të cilit ishte në alarm javën e kaluar pas dridhjeve dhe qindra rrëshqitjeve të dheut.

“Bazuar në përvojat tona të mëparshme, ky aktivitet vullkanik mund të vazhdojë për disa muaj,” tha Teresito Bacolcol, i cili drejton shërbimin shtetëror të vullkanologjisë dhe sizmologjisë, për radiostacionin DZMM, duke shtuar se banorët që jetojnë brenda një rrezeje 6 km nga vullkani do të duhet të qëndrojnë në qendrat e evakuimit.

Shifrat nga agjencia e menaxhimit të fatkeqësive tregojnë se rreth 14,000 njerëz janë evakuuar dhe janë strehuar në shkolla dhe qendra komunitare.

Larry Genaresas, një drejtues komuniteti në provincën Albay, i tha radiostacionit DZMM se kishte nevojë për më shumë ushqim dhe ujë të pijshëm për të evakuuarit.

Autoritetet vunë në dukje se njerëzit që jetojnë më larg vullkanit duhet gjithashtu të përgatiten për mundësinë e evakuimit të shtëpive të tyre, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli për të parandaluar kthimin e atyre që tashmë janë evakuuar.

Mayon, një atraksion turistik për shkak të formës së tij pothuajse të përsosur konike, është ndër më aktivët nga 24 vullkanet e Filipineve dhe ka shpërthyer më shumë se 50 herë në katër shekujt e fundit. Shpërthimi më shkatërrues i tij ndodhi në shkurt 1841 kur një qytet u varros nën llavë dhe 1200 njerëz humbën jetën./abcnews.al

Advertisement