Connect with us

Kosova

Kafsha e plagosur është më e rrezikshme/ Metafora për presidentin serb

Kryetari i Bordit Këshillimor Ndërkombëtar për Politikë dhe Siguri, Srđan Cvijiç, beson se fushata parazgjedhore në Serbi është më e pista që nga viti 2000. Sipas tij, institucionet në Serbi janë bllokuar dhe janë vënë në shërbim të luftës së qeverisë kundër kundërshtarëve politikë, me vlerësimin se “kafsha e plagosur është më e rrezikshmja”.

Cvijiç  tha se synimet e qeverisë në rrugën evropiane nuk janë të sinqerta pasi anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Europian do të ishte kundër interesit të tyre jetik për të mbetur në pushtet. Ai gjithashtu vlerësoi se qeveria po sillet në mënyrë skizofrenike, teksa nga njëra anë kërkon nga KFOR-i që të ndihmojë serbët në Kosovë dhe nga ana tjetër, vazhdimisht bën një fushatë antiperëndimore.

Duke folur për atmosferën në shoqërinë serbe, ai u shpreh se ajo është jashtëzakonisht e polarizuar, para së gjithash falë qeverisë.

“Dhe cili është përfundimi im? Do të përdorja një metaforë nga gjuetia – se kafsha e plagosur është më e rrezikshmja” –  tha Cvijiç, duke shtuar se numri më i madh i votuesve të Partisë Progresive Serbe e Vuçiç dhe Socialistëve të Ivica Daçiç, janë pro-rusë

“Kjo është arsyeja kryesore për mos vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, frika e humbjes së votuesve” –  theksoi Cvijiç.

Ai u shpreh gjithashtu se është i hutuar pse Marrëveshja e Ohrit quhet “plan franko-gjerman”, kur në fakt është një propozim që Vuçiç ka rënë dakord me Kurtin.  Ai theksoi se nuk ka dyshim që presidenti serb e ka pranuar planin, pavarësisht nëse është nënshkruar apo jo prej tij.

“Ajo që ndodh jashtë Serbisë me dyer të mbyllura është një gjë dhe kur presidenti ynë kthehet, na paraqet një version krejtësisht tjetër të realitetit dhe kjo është e mundur, sepse ai kontrollon të gjitha mediat” – potencoi  Cvijiç duke shtuar se e gjitha është një situate absurd.

Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, ai tha se ngjarja në Banjskë tregoi se qeveria nuk ka kontroll mbi situatën në Kosovë. Sipas tij, situata në Kosovë varet nga klima politike dhe raporti ndërmjet Prishtinës dhe përfaqësuesve vendorë të popullatës serbe, por edhe nga raporti Beograd-Prishtinë dhe dallon nga vendi në vend.

I pyetur nëse qytetarët e Serbisë janë të vetëdijshëm për faktin se KFOR-i është përgjegjës për sigurinë dhe sigurinë e serbëve në veri, Cvijiç tha se ky imazh është gjithashtu i shtrembëruar, si dhe kur është fjala për Marrëveshjen e Ohrit dhe se qeveria serbe po sillet në mënyrë skizofrenike – në njërën anë kërkon ndihmë nga KFOR-i, kurse në anën tjetër vazhdimisht mban fushatë antiperëndimore.

“Është e vështirë të gjesh rrugën në këtë lloj labirinti, nëse je qytetar i thjeshtë dhe ke akses vetëm në televizione me frekuencë kombëtare.  Është shumë e vështirë të krijosh një mendim për të gjitha këto çështje, sidomos nëse nuk ke qenë në Kosovë dhe nëse nuk i njeh njerëzit atje” –  deklaroi Srđan Cvijiç.

Advertisement