Shkrime
Kakofoni me iluzione foshnjore dhe Pahor si zëvendësues i Lajçak
Sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, zgjedhjet e reja në fillim të qershorit në Parlamentin Evropian, janë arsyeja e ndryshimeve edhe në ndërmjetësimin e bisedimeve Kosovë-Serbi.
“Duket se është konfirmuar tashmë se Miroslav Lajçak do të tërhiqet ose nuk do të jetë më interlokutor i këtyre bisedimeve. Ish-presidenti slloven, Barot Pahor, ka shfaqur tashmë hapur pretendimin e sipërmarrjes së këtij funksioni. Nëse ai do të jetë apo jo ndërmjetës në dialog, kjo është ende e panjohur. Do duhet një vendim i autoriteteve të Brukselit për këtë. Por dhe ky vendim nuk merret aq lehtësisht. Ne nuk e dimë nëse do arrihet ndonjë konsensus për këtë” – kështu është shprehur profesor Bytyçi, sipas të cilit, Serbia nuk do ta pranojë emërimin e Pahor si ndërmjetësues.
“Besoj se Beogradi nuk do ta pranojë dhe pranimi nga palët në bisedime është kushti themelor në mos për emërimin e Pahor në këtë post, së paku për suksesin e dialogut. Duke qenë se është koha e fundit që mund të bëhet dialog, BE do të synojë një personalitet politik dhe diplomatik me ndikim e shumë të aftë për ta emëruar në postin e ndërmjetësit në dialogun Kosovë-Serbi. Padyshim se një ish-president slloven, si Borut Pahor, është personalitet I rëndësishëm në këtë funksion, nëse emërohet. Ai është slloven dhe vjen nga një vend demokratik, ish-republikë e Federatës Jugosllave. Pahor e njeh konfliktin më mirë se shumica dërmuese e kandidaturave. Por më e rëndësishme se kjo është legjitimiteti. Legjitim është e do të jetë vetëm ai ndërmjetës që pranohet nga të dy palët në bisedime. Nuk jam i sigurt se Serbia do ta pranojë zotin Pahor. Serbia nuk e konsideron Slloveninë vend mik, madje as vend asnjanës. Pretendimi i Serbisë do të jetë se “Sllovenia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe mban anën e saj”! Pra do ta konsiderojë të papërshtatshëm. Jo se zoti Pahor ka ndonjë histori ose eksperiencë anti-serbe, por se në Serbi nuk i besohet asnjë slloveni, dhe jo më një ish-presidenti slloven”, deklaroi Bytyçi.
Ai tha edhe se Lajçak erdhi në këtë post, sepse vinte nga një vend jo-njohës i shtetit të Kosovës dhe këtë kusht e kishte vënë Beogradi.
“Presidenti I Kosovës e pranoi këtë ndërmjetësim, pavarësisht ndonjë deklarate publike kundër, për të krijuar përshtypjen e njeriut që brengoset për fatin e Kosovës. Po të mos e kishte pranuar Hashim Thaçi, Miroslav Lajçak nuk do të caktohej emisar. Kështu do funksionojë sërishmi. Por ajo që dua të them me këtë rast ka të bëjë me pyetjen: – Ka më dialog midis Kosovës e Serbisë? Për çfarë dialogu bëhet fjalë, kur presidenti i Serbisë refuzon publikisht e njëkohësisht me shkrim marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit? Kur ai e ka bërë null atë marrëveshje? Ndërkohë që kryeministri i Kosovës ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që të nënshkruajnë?”. “Nga ana tjetër Borrell dhe Lajçak na kanë gënjyer e vazhdojnë të na gënjejnë, duke thënë se “ekziston marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Madje ia kanë mbushur mendjen edhe disa shefave të shteteve dhe kryeministrave të Bashkimit Evropian. Iluzioni i të qenit të kësaj marrëveshjeje është I qëllimshëm dhe dashakeqës. Ndihmon jo dialogun, por përkundrazi rifillimin e një konflikti e madje lufte tjetër midis Kosovës dhe Serbisë”, shtoi Enver Bytyçi.
Ai tha se dialogu ka marrë fund që në momentin kur pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, organizoi aktin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Atë ditë de facto ka marrë fund çdo lloj mundësie për marrëveshje tjetër. Prej asaj dite Kosova dhe Serbia janë në gatishmëri lufte midis tyre. Dialogu është spostuar për çështje ditore, që mbrohen nga kushtetuta e Kosovës, siç është çështja e dinarit. Nuk ka më asnjë përpjekje dhe hap përpara për të respektuar qoftë dhe një nen të marrëveshjes së Brukselit ose aneksit të Ohrit. Përkundrazi, presidenti I Serbisë po bën të gjitha përpjekjet e tij për ta parandaluar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka ngritur madje edhe një Task Forcë, ku bëjnë pjesë liderë serbë të lidhur ngushtë me Rusinë. Ndërkohë që në Bruksel vazhdojnë të thonë se “Palët (pra edhe Vuçiq) e ka pranuar marrëveshjen e Brukselit.
Me pak fjalë, kakofoni me iluzione foshnjore”. “Nëse nuk ndodh ndonjë çudi paqebërëse unë nuk shoh dialog në këto kushte. Dialogu ka marrë fund. BE pas zgjedhjeve të qershorit nuk do të ketë shansin të emërojë dike, as zotin Pahor, në krye të dialogut Kosovë-Serbi, sepse Serbia deri atëherë do të nisë aventurën e konfliktit të nxehtë me Kosovën e ndoshta edhe me Bosnjë Hercegovinën. Të presim 5-6 majin e të shohim se çfarë do të ndodhë. Por më shumë shanse ka konflikti, sesa paqja, apo ndryshe dialogu. Ndërmjetës pa dialog nuk mund të ketë. Ndoshta do të ketë një lloj tjetër dialogu gjatë procesit të konfliktit. Por jo më për normalizim të marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve. Mund të ketë ndërmjetësim për paqe fillimisht e më pas për zgjidhje tjera”, shpjegoi më tej Bytyçi dhe theksoi se Qeveria e Kosovës, institucionet e saj, qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për të ruajtur paqen dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Çdo iluzion për vazhdim dialogu është ireal. Për mendimin tim përgatitja për ta përballuar me sukses një konflikt me Serbinë nuk duhet lënë mënjanë në emër të një dialogu inekzistent. Gjëja më e mirë do të ishte që shteti i Kosovës të konsolidojë aleancat e tij me Fuqitë e Mëdha dhe t’i ripërtërije ato bazuar në një realitet të ri gjeopolitik. Duhet kërkuar së paku nga katër vende të lidhen traktate bashkëpunimi strategjik dhe në fushën e mbrojtjes, përkatësisht me SHBA-të, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe me Turqinë. Nëse arrin këtë, atëherë vihen gurë themeli të shëndoshë edhe për paqen e mundet që Serbia të detyrohet t’i nënshtrohet një dialogu serioz” – potencoi profesor, doktor Enver Bytyçi.