Connect with us

Shkrime

Kali i anti-komunizmit ngordhi

Nga Namir Lapardhaja

Edhe formalisht. Praktikisht kishte lindur i tillë. Kalorësit hipokritë që e kishin kalëruar për 30 vite duke manipuluar shtresën e të persekutuarëve, duke i gënjyer me bursa, me këste dëmshpërblimi burgu që s’u morën kurrë apo me të veshur policë dhe të treguar më pas me gisht, me një guxim të hatashëm e flakën tej maskën hipokrite dhe u shfaqën në mesnatë cullak.

Hipokrizia, kjo lustër xixëlluese së jashtmi dhe katran së brendshmi, u flakë si të përflakej një grumbull letrash, që edhe hiri përhapet lehtas nga çdo flladë i lehtë. Vetëçjerrja e maskës tregoi se kush nuk ka dashur për 30 vite të mos merret vesh e vërteta, të mos dihet se çfarë ka ndodhur, të mos zbulohet se kush janë persekutorët me të cilët kemi bashkëjetuar sikur të ishim të gjithë njëkohësisht bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor.

Guximi për të mosvotuar formalisht ligjin e lustracionit dhe të dosjeve nga ana e një grupi deputetësh tregoi se kush i ka përdorur dosjet sipas oreksit dhe epshit vetjak, duke akuzuar dhe shantazhuar me dosje dhe si bashkëpunëtor të sigurimit vetëm kundërshtarët brenda radhëve dhe jashtë tyre.

Mosvotimi i këtij ligji nga një grup deputetësh, të cilët identitetin e tyre politik e kanë ndërtuar vetëm mbi narrativën e antikomunizmit dhe të vetëndjerit krenar se i përkasin shtresës së ish-të persekutuarëve, nxjerr në pah hipikrizinë e tyre, shfaqjen e tyre të rremë, dukjen e tyre që nuk është ashtu siç duket dhe nuk shfaqen ashtu siç janë, mungesën e eshtrës dhe të palcës së shtyllës kurrizore, pacipësinë dhe mungesën e skrupujve moralë, duke e bërë nul të gjithë angazhimin e tyre politik dhe publik në këtë drejtim. Identiteti i tyre rezultoi i gënjeshtërt. Ata nuk janë real, por hije të diçkaje që nuk ekziston.

Nuk dua të aludoj për problene familjare apo brenda shtëpisë, por edhe kjo, në rastin e tyre, duhet marrë në konsideratë. A ka ende dosje dhe a do hapen ato? A ka vullnet për të dekomunistizuar shoqërinë shqiptare në të gjitha hallkat e saj?

Kjo është sfidë që ngelet për t’u parë, mirëpo pas tri dekadash me lojra politike “i hapim-s’i hapim” ligjërisht u shpreh me vullnet ligjor. Fatkeqësisht ky vullnet nuk u shpreh i plotë nga të gjithë ata që kishin mbajtur lart flamurin e antikomunizmit, por edhe në bashkëpunim nga bijtë e xhelatëve të djeshëm. Por politika kjo është. Vjen një moment dhe si një mallkim nga Zoti të çirret maska e hipokrizisë dhe të ngordhë në oborr kali i antikomunizmit.

Advertisement