Connect with us

Aktualitet

“Kallashi ishte i Petritit, më nxori nga shtëpia se nuk pagova faturat”, zbardhet dëshmia

Kanë dalë detaje të reja nga vrasja e Petrit Vuksanit në Shkodër. Autori Lekë Vuksani, 21 orë pas arrestimit nga policia, ka dhënë dëshminë në lidhje me vrasjen ish-bashkëfshatarit të tij. Pavarësisht se ka folur dhe ka treguar rreth ngjarjes, në fund ai nuk ka pranuar ta firmosë dëshminë.

Në bisedë të lirë me efektivët 34-vjeçari ka pranuar se njihej me viktimën, pasi vijnë nga e njëjta zonë e Dukagjinit dhe se prej disa kohësh i kishte marrë shtëpinë me qira. Së fundmi Petriti ishte konfliktuar shpesh me autorin e ngjarjes, pasi ankohej se Leka nuk kishte paguar qiranë, dritat dhe ujin.

34-vjeçari, në bisedën me policën ka pranuar vrasjen dhe konfliktet, por ka vendosur të mos e firmosë dëshminë. “Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira, duke qenë se ndodhej në Angli.

Muajt e fundit kemi pasur disa debate për qiranë e shtëpisë, por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja, Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik, që nuk është i imi, por i Petritit.

Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i vrasjes në bisedën e lirë me efektivët. Pavarësisht pretendimit se arma e krimit është e viktimës, policia ka prova se armën e solli autori i dyshuar me vete dhe se ishte e tij.

Në lidhje me ngjarjen ka folur edhe vëllai i Lekë Vuksanit, i cili ka treguar se është shok i ngushtë me vëllanë e Petritit. Ai ka bashkëpunuar me policinë që nga momentet e para, në mënyrë që të kryhej arrestimi i vëllait të tij dhe vënia para përgjegjësisë.

“Unë e kam njohur Petritin, por edhe vëllanë e Petritit e njoh dhe e kam shumë shok. Unë nuk kam qenë aspak në dijeni për vrasjen që do të kryente vëllai im sepse po ta kisha ditur do bëjë maksimumin për ta parandaluar. Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur sepse kisha miqësi me familjen e viktimës”, deklaroi vëllai i autorit të dyshuar të vrasjes.

Gjithashtu është zbardhur dëshmia e gruas, në shtëpinë e së cilës u fsheh Lekë Vuksani pas vrasjes së Petritit. Ajo tregon se 34-vjeçari ka hyrë me armë në shtëpinë e saj dhe i ka kërkuar vetëm të qëndrojë dhe të mos frikësohet.

“Leka erdhi në banesën time dhe u fut brenda, pasi më kërkoi t’i hapja derën. Kur u fut, shoh që kishte armën në dorë dhe nuk dija si të veproja. Leka më tha se nuk do të bëjë asgjë ndaj të mos trembem. Me tha se ardhur vetëm për të qëndruar në shtëpinë time.

Nuk e dija se çfarë të bëja, sepse ishte errësirë. Më tha që të mos tregoj se ndodhej aty, deri sa erdhi policia dhe e arrestoi. Pavarësisht se më tha që të mos kem frikë, isha e frikësuar edhe pse gjatë kohës që qëndroi, bëri një sjellje normale”, deklaroi gruaja në banesën e të cilës qëndroi për disa orë autori i dyshuar i vrasjes.

Advertisement