Connect with us

Kosova

Kamala Harrisi nuk ndryshon qasjen rreth dialogut, Trumpi do  ndikohet nga pikëpamjet e Putinit

Alon Ben-Meir, profesor amerikan në pension dhe ekspert i politikës ballkanike, ka vlerësuar se kandidatja nga radhët e demokratëve në garën presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kamala Harris, nuk do të ndryshojë shumë në mënyrën se si do t’i qaset dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të acaruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, në një artikull autorial kushtuar rrjedhjës së tensionuar në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit, ai ka thënë se rikthimi i kandidatit republikan, Donald Trump, në krye të Shtëpisë së Bardhë, mund të ketë pasoja për Kosovën, duke marrë parasysh afërsinë e ish-presidentit me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe pozicionin kontravers ndaj Kosovës.

“Nëse Harrisi zgjidhet presidente e ardhshme e SHBA-së, unë nuk pres ndonjë ndryshim të dukshëm në politikën amerikane në lidhje me konfliktin Kosovë-Serbi. Megjithatë, nëse Trumpi rizgjidhet, ai do të ndikohet – në një farë mase – nga pikëpamjet e Putinit për Ballkanin Perëndimor dhe dëshirat e tij për të destabilizuar rajonin”, ka shkruar Ben-Meir në një analizë.

Sipas tij, “Trumpi ka të ngjarë të jetë më pak mbështetës për pozicionin e Kosovës, por jo në masë sa do të ndryshonte politikën e përgjithshme të SHBA-së ndaj Ballkanit dhe angazhimin e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës”.

Kujtojme se zgjedhjet presidenciale amerikane vijnë në kohën kur Uashingtoni ka shtuar përpjekjet për t’i zbutur tensionet në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, përkundër se analistët nuk presin që politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor të ndryshojë rrënjësisht, liderët rajonalë kanë preferencat e tyre për garën presidenciale.

Advertisement