Connect with us

Rajon

Kamerdarja serbe fut Rusinë në Ballkan

Komiteti i Posaçëm për Ndërhyrjet e Huaja i Parlamentit Evropian, tha se Rusia po shfrytëzon ndikimin e saj në Serbi në përpjekje për të ndërhyrë në shtetet fqinje dhe të ndikojë negativisht në orientimin euroatlantik të rajonit të Ballkanit.

Kjo ndërhyrjes sipas raportit ushtrohet “në Bosnje nëpërmjet Republikës Serbe, në Mal të Zi duke shfrytëzuar ndjenjat pro serbe si dhe Kishën Ortodokse serbe dhe në Kosovë duke shfrytëzuar dhe nxitur mosmarrëveshjet ekzistuese në veriun e vendit”

Rusia, thuhet më tej, ka ende ndikim të dukshëm në Ballkanin Perëndimor, me fuqinë për të ndërhyrë në përpjekjet rajonale për pajtim, integrim dhe reforma drejt demokratizimit.

Në raportin që u mbështet nga 27 përfaqësues në Komisionin për Ndërhyrjet e Huaja, ndërsa pati një votë kundër dhe një abstenim, thuhet mes tjerash se përpjekja ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor, duhet parë si pjesë e një strategjie më të gjerë për të promovuar autoritarizmin në Evropë.

Në raport thuhet se mesazhi pro-rus përhapet përmes mediave në pronësi serbe dhe hungareze në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shprehet shqetësimi me “gjetjet e fundit se Serbia është vendi më i cenueshëm ndaj ndikimit të huaj negativ në Rajon, veçanërisht nga Rusia dhe Kina, dhe se Serbia ende nuk ka zbatuar sanksionet kundër Rusisë dhe nuk është harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”

‘Serbia, një vend kandidat për anëtarësim në BE, është bërë një strehë e sigurt për disa kompani ruse që kërkojnë të shmangin sanksionet’, – thuhet në raport në cilin theksohet se që nga korriku i vitit 2022 zyrat e RT (ish Russia Today) janë hapur në Beograd dhe ka nisur shërbimin e lajmeve në internet edhe në serbisht.

 

Advertisement