Connect with us

Shkrime

Kandidatja e LVV që sjell vulgaritet dhe tension/ Groteske në rolin e caktuar nga Albin Kurti

Duke komentuar krizen institucionale qe ka perfshire skenen politike ne Kosove, Baton Haxhiu shkruan se e propozuara e Levizjes Vetevendosje, Albulena Haxhiu është ai tip njeriu që ndodhet gjithmonë në krizë me vetveten, një krizë të cilën nuk arrin as ta dallojë, lëre më ta kuptojë.

“Duket sikur zgjohet çdo mëngjes për t’u bërë dikush tjetër: për shembull, një Margaret Thatcher me buzëkuq të pambrojtur; një stiliste e pazgjuar që i vesh idetë me ngjyrat e aksioneve politike. Veshja është gjithnjë një përpjekje për të qenë “fashion”, por ajo gjendje është fryti i delikatesës. S’e bën as ajo as shefi i saj sepse të dy kanë shije të munguar serioze.

Posacërisht ajo, Albulena, sjell vulgaritetin e tensionuar që nuk është as i freskët, as i kalbur, është vetëm artificial. Flokët në publik prej kohësh i ka gjithnjë të nxjerra me kujdes si një përpjekje për të qenë protagoniste në një festival televiziv, por zëri i hollë, me tension të brendshëm që kërkon të duket si autoritet, në të vërtetë i ngjan më shumë alarmit të një ashensori të prishur se sa fjalës së një udhëheqëseje.

Fjalët që përdor nuk i përkasin, janë si rrobat e një parade politike të huaj, që i vesh për t’u dukur se di, por i bien nga shpatullat sapo niset të ecë. I përdor me frymën e dikujt që ka mësuar retorikën, por jo kuptimin. Ajo nuk flet, ajo reciton një lloj dramë të brendshme që kërkon spektatorë. Dhe në këtë dramë, rolet janë të ndara, ajo është viktima, të tjerët janë komplotistët. Por shfaqja e saj gjithnjë është e dobët, sepse askush nuk i beson më karriges që kërkon me britma, as procedurës që shkel me ndershmëri të fabrikuar.

Në të vërtetë, është një figurë që i ka shpëtuar ironisë së vetvetes. Sikur ta dinte sa e paqëndrueshme është në raport me imazhin që dëshiron të ndërtojë, do të ishte një personazh melankolik. Por ajo është vetëm nervozisht e bindur për të vërtetën e saj. Dhe aty, fillon groteska në rolin që mban.

Në këtë grotesk të politikës në Kosovë, Albulena Haxhiu është një aktore pa skenografi, një protagoniste pa tekst origjinal, një version i deformuar i fuqisë që donte të dukej e butë, por vendosi të bëhet e papërkulur pa e kuptuar se forca pa finesë e zhvesh njeriun nga dinjiteti, jo nga dobësia.

A është ajo e duhura për të drejtuar Kuvendin? Jo. Por është perfekte për atë që Kurti dëshiron nga Kuvendi. Kurti nuk do vend ku ndërtohet marrëveshja, por teatër ku interpretohet vullneti. Dhe ajo, pa dyshim, është aktorja më e përkushtuar e këtij shfaqjeje.

Prandaj Albini e do si zë të tijin kur ai nuk flet, e opozita nuk e do as si jehonë kur britma e saj don të bëhet ligj. Sepse ajo nuk i jep zë të vërtetës, por e shndërron të vërtetën në koreografi të bindjes, ku çdo gjest është për shfaqje dhe asgjë për drejtësi” – ka shkruar analisti Baton Haxhiu.

Advertisement