Kronike
Kanosi gjyqtarin dhe urinoi te Gjykata e Lartë! Ekstradohet nga Italia ‘ish-kandidati’ për kryepolic

Hajrulla Xhivini, emri i të cilit ishte përfshirë edhe në listën e kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, para se të zgjidhej Ilir Proda, është ekstraduar në vendin tonë. 42-vjeçari me masë sigurie “arrest në burg”, akuzohet për kanosje ndaj një gjyqtari në Lushnje, si dhe për protestë dhe veprime të turpshme para Gjykatës së Lartë.
42-vjeçari Xhavini akuzohet se në muajin Shkurt 2024 kishte kanosur nëpërmjet celularit, në mënyrë të përsëritur, një gjyqtar të Gjykatës Administrative të Lushnjes. Ai ka protestuar edhe para Gjykatës së Lartë në kryeqytet, duke urinuar para godinës dhe duke iu drejtuar drejtpërdrejt kreut të Gjykatës, Sokol Sadushit. Videon, e ka publikuar në rrjetet sociale.
“Ja po shurrosim tek Sokol Sadushi. Po shurrosim. Ja këtu është Gjykata e Lartë,“-thotë në videon e tij, Hajrulla Xhivini.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit H. Xh., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2024, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shtetasi H. Xh. akuzohet se gjatë muajit shkurt 2024, ka kanosur në mënyrë të përsëritur, nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, shtetasin E. L., gjyqtar i Gjykatës Administrative Lushnjë, si dhe ka protestuar para Gjykatës së Lartë.

