Aktualitet
Kanosi me thi’kë familjarin e ish-kandidates për deputete në Sarandë dhe e ndoqi me makinë, policia vijon kërkimet për 21-vjeçarin

Policia vijon kërkimet për 21-vjeçarin e shpallur në kërkim pasi kanosi me thikë familjarin e ish-kandidates për deputete të PD-së në Sarandë, Matilda Qurku.
Mariglen Bajrami është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Sarandë
Kanosi me thikë një shtetas dhe e ndoqi me makinë, duke i dëmtuar edhe automjetin, shpallet në kërkim 21-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin M. B., 21 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Sarandë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 21-vjeçari ka kanosur me një mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 41 vjeç, dhe më pas e ka ndjekur me automjetin e tij, duke i dëmtuar automjetin që ky i fundit po drejtonte, në lagjen nr. 3, Sarandë. Pamje të kësaj ngjarjeje janë bërë publike edhe në rrjetet sociale.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, është bërë e mundur sekuestrimi i automjetit të përdorur nga shtetasi M. B.
Ka qenë vetë ish-kandidatja për deputete, Matilda Qurku që ka postuar pamje nga momenti që i riu i është afruar babait të saj me thikë në dorë, të cilën e mbante të fshehur pas shpine. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë një restoranti në pronësi të familjes Qurku.
“E vetmja lidhje me këtë njeri është se prindërit e tij, ish-punonjës në biznesin tim, janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar.”, është shprehur ajo ndër të tjera. Qurku i bën thirrje qytetarëve që nëse e shohin 21-vjeçarin të lajmërojnë policinë.

