Connect with us

Aktualitet

Kaos në Kapshticë/ Dogana greke redukton sportelet, mijëra emigrantë presin në radhë kilometrike

Pika kufitare e Kapshticës është rikthyer sërish në një skenë tensioni dhe pritjesh të gjata, me radhë kilometrike që kanë arritur mbi 2 kilometra gjatë ditëve të fundit. Mijëra emigrantë që udhëtojnë nga Greqia drejt Shqipërisë janë detyruar të kalojnë orë të tëra në radhë për shkak të mungesës së stafit dhe funksionimit me sportele të reduktuara nga pala greke në pikën kufitare të Krystallopigi-t.

Në vetëm 5 ditë, më shumë se 37 mijë qytetarë kanë hyrë në Shqipëri nga kjo pikë kufitare një fluks i zakonshëm për muajin gusht, kur emigrantët rikthehen në atdhe për pushime. Por, ashtu si çdo vit, pala greke duket e papërgatitur për të përballuar fluksin, duke krijuar situata të padurueshme për udhëtarët, shumë prej të cilëve mbeten të bllokuar nën temperatura të larta, me fëmijë dhe të moshuar në automjete.

Ndërsa pala shqiptare po punon me kapacitete të plota për të shmangur bllokimet, ndërsa puna e ngadaltë dhe numri i ulët i sporteleve nga ana greke po e kthen pikën kufitare në një grackë për qytetarët, duke rritur ndjeshëm kohën e pritjes dhe duke krijuar pakënaqësi të thellë.

Me paralajmërimet për flukse edhe më të mëdha në ditët në vijim, situata rrezikon të përkeqësohet edhe më tej, nëse autoritetet greke nuk marrin masa për të rritur kapacitetet e përpunimit në kufi.

Qytetarët kërkojnë zgjidhje dhe koordinim më të mirë mes autoriteteve shqiptare dhe greke, për të shmangur përsëritjen e këtij skenari çdo vit, një skenar që tashmë është bërë i zakonshëm, por aspak i pranueshëm

Advertisement