Fluturimet në dy nga aeroportet më të ngarkuara në botë, në Doha dhe Dubai, u ndërprenë të hënën, ndërsa mijëra udhëtarë prisnin në radhë për orë të tëra dhe të bllokuar duke u përballur me vonesa të gjata dhe anulime fluturimesh, pas mbylljes së përkohshme të hapësirës ajrore një ditë më parë.

Katari , Bahreini dhe Kuvajti mbyllën hapësirën e tyre ajrore vonë mbrëmë pasi Irani goditi një bazë ushtarake amerikane në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke i detyruar linjat ajrore të anulonin ose devijonin qindra fluturime dhe duke i lënë pasagjerët e bllokuar për orë të tëra.

Aeroportet në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, pezulluan përkohësisht shërbimet e tyre.  Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit ishte në fuqi dhe u bëri thirrje të dyja palëve të mos e shkelin atë, duke rritur shpresat për t’i dhënë fund luftës 12-ditore, por armiqësitë vazhduan, me raportime për sulme në të dyja vendet.

“Nuk kam fjetur për 19 orë. Dhe kam pritur në këtë radhë për më shumë se nëntë orë”, tha Lily Rogers, 21 vjeç, e cila po priste në një radhë 200 metra të gjatë në Aeroportin Ndërkombëtar Hamad të Dohas.

Studentja e psikologjisë, e cila ishte me pushime në Azinë Juglindore, tha se atyre që ishin në radhë u ofrua vetëm ujë nga zyrtarët gjatë pritjes.  Radhët ishin aq të gjata sa shpërthyen përleshje ndërsa disa pasagjerë u përpoqën të zinin vendet e tyre në radhë, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Rreth 250 fluturime u anuluan në Aeroportin Ndërkombëtar Hamad, ndërsa 238 të tjera u vonuan, sipas faqes së internetit të ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24.

Radhë të gjata u formuan gjithashtu në aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, aeroportin më të ngarkuar në botë, ku rreth 145 fluturime u anuluan dhe më shumë se 450 u vonuan, sipas të dhënave të FlightRadar24.

Qatar Airways tha se po “bënte përparim në rivendosjen e orarit të saj” me ndërprerje të mundshme që priten deri më 26 qershor.  Aeroportet e Dubait dhe zyra e shtypit e qeverisë nuk iu përgjigjën një kërkese për koment./Reuters