Connect with us

Politike

Kaosi në Kuvend/ Balla: Deputetët e opozitës rrezikojnë deri në 5 vite burg

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas tensioneve dhe kaosit të krijuar nga deputetët e opozitës ditën e sotme në Kuvend, ku u ndezën sërish tymuese.

Në reagimin e tij në Facebook, Balla shkruan se ligji duhet të zbatohet njësoj dhe deputeti nuk mund t’i shmanget duke u fshehur pas imunitetit.

Ai thotë se Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në pesë vite burg.

REAGIMI I PLOTË: 

Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në pesë vite burg.  Ndërsa këto akte të rënda janë referuar në mënyrë të përsëritur në Prokurori, institucioni i akuzës duhet të garantojë se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë dhe deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit kurrsesi, duke përfituar apo duke u fshehur pas imunitetit!

Gjatë seancës, e cila zgjati pothuajse 17 minuta, u hodhën tymuese dhe iu vu flaka fasoletave nga deputeti Flamur Noka. Gjithashtu, ky i fundit tentoi t’i vendoste flakën karrigeve të vendosura grumbull në mes të sallës, por u ndalua nga Garda. Pasi hodhi tymuese, Noka u përjashtua nga Kuvendi, por refuzoi të dilte deri në momentin e mbylljes së seancës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ndërsa salla u “pushtua” nga tymi shumëngjyrësh.

Advertisement