Kronike
Kapen dhe ndalohen 4 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale
Tiranë
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar.
Kapen dhe ndalohen 4 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve Zamir Kalej, 53 vjeç dhe Bukurije Kalej, 48 vjeçe (bashkëshortë), banues në Shkodër. Këta dy shtetas ishin shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka dënuar secilin prej tyre me 5 vjet dënim, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit Albano Beqiraj, 29 vjeç, i cili, me vendimet penale të Gjykatës Shkallës Parë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Gjykatës Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, është dënuar me 4 vite burgim, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë kapja dhe ndalimi, për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetases R. S., 20 vjeçe, pasi ka qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, por gjatë kontrolleve nga shërbimet e Policisë, kjo shtetase nuk është gjetur në banesë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.