Connect with us

Politike

Rama: Unë qeveris pa futur duart në xhepat e popullit

Kryeministri Edi Rama, ju ka dhënë përgjigje të gjithë atyre që e akuzojnë për vendimin e fundit të qeverisë për sekuestrimin e kateve pa leje.

Ai ka publikuar në Facebook, dokumentin që i është dorëzuar kohë më parë Prokurorisë për 4646 metrat katror ndërtim pa leje në qendër të Tiranës, e cila dje i mori shteti për interes publik.

Sipas tij ata që akuzojnë vazhdimisht dhe shajnë papushim nuk janë mësuar kurrë me idenë se dikush mund ta qeverisë këtë vend pa futur duart në xhep-at e qytetarëve.

Postimi i Ramës:

FLASIM NESËR PËR KËTË PËRSËRI, po le ta shikojnë pak dokumentin bashkëngjitur,  veçanërisht ata miq të kësaj faqeje, që kanë sharë, akuzuar e fantazuar me mllef, për vendimin e qeverisë mbi metrat katrorë pa leje për qëllim fitimi!

Le ta lexojnë vetë se si kohë më parë, i është çuar prokurorisë së Tiranës, rasti i atyre 4 mijë e 646 metrave katrorë në qendër të Tiranës, të cilat dje i mori shteti për interes publik. Dhe ky nuk është i vetmi rast, po rasti që derdhi kupën e durimit me drejtësinë, në raport me parellinjtë e llojllojshëm, kapur me presh në duar tërë këto nga Policia e Shtetit, Tatimet e Doganat apo Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por kthyer në burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë.

Por natyrisht, turpi s’është i miqve që shajnë e akuzojnë këtu, të cilët në rastin më të mirë janë votues të verbër të palëve të tjera dhe në më të keqin, qytetarë të mërzitur me politikën, që gabimisht më dinë edhe mua si politikanët e pafytyrë, që tjetër thonë, tjetër bëjnë.

Turpi është vetëm i urrejtësve profesionistë të politikës dhe medias, që me tërbimin e tyre të pangushëllueshëm, rrisin përditë sasinë e llumit të kanaleve e të portaleve, ku s’ka më vend për të vërtetën, faktet, argumentat. Ata e helmojnë papushim këdo i ndjek gabimisht me respekt dhe këdo që gabimisht i lexon për të marrë vesh të vërtetën.

I kanë bërë vetë ose do t’i bënin vetë po të kishin mundësi, të tëra zullumet e poshtërsitë për të cilat më akuzojnë mua! Prandaj edhe as e konceptojnë dot, që dikush mund ta udhëheqë këtë vend pa futur duart në xhepat e të tjerëve apo në arkën e shtetit; jo më të kenë pastaj edukatën elementare demokratike, që të mos ta akuzojnë tjetrin pa prova, për akte e vepra penale.

Unë natyrisht nuk jam i rënë nga qielli, po duan s’duan ata që s’duan, s’e kam bërë kurrë nën këtë qiell asnjë nga aktet a veprat në fjalë.

Advertisement