Kronike
Kë do të vrisnin? Policia kap grupin me pistoleta dhe kallashnikovë
Policia e Tiranës ka arrestuar gjatë mbrëmjes së djeshme katër persona pasi atyre iu kapën 4 armë zjarri të llojeve të ndryshme. Blutë bëjnë me dije se gjatë një kontrolli janë gjetur 2 pistoleta, të fshehura në pjesën e motorit të makinës si edhe dy kallashnikovë.
Mësohet se personat në fjalë janë me precedent penale dhe ishin nën mbikëqyrjen e policisë, e cila ka ndërhyrë duke neutralizuar ndonjë ngjarje kriminale ku do të përdoreshin armët në fjalë.
Policia njofton:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Katrori”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit: B. M., 33 vjeç; K. K., 28 vjeç; K. V. (K.), 32 vjeç dhe R. M., 22 vjeç.
Shërbimet e Policisë ndaluan në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, automjetin tip “Range Rover” me të cilin qarkullonin këta 4 shtetas. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehëra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit.