Connect with us

Lifestyle

Kek me Kos dhe Mjaltë – Me Shije të Lehtë Mahnitëse

Nëse doni të ëmbëlsoni të afërmit dhe të dashurit tuaj, kjo ëmbëlsirë është e duhura për ju.

Keku është një nga ëmbëlsirat me kombinimiet më të larmishme dhe me rezultatet më të shijshme në botën e ëmbëlsirave.

I lehtë për t’u përgatitur dhe me përbërës që gjenden në çdo shtëpi, gjithmonë është një zgjidhje perfekte kur duam diçka të ëmbël.

AgroWeb.org sot ju sjell një recetë pak më të veçantë të kësaj ëmbëlsire familjare.

Keku me mjaltë dhe kos, mund të përgatitet për çdo rast familjar, dhe mund të shoqërohet me kafe, reçel apo dhe fruta të stinës.

Lexoni më poshtë për të zbuluar recetën unike të kësaj ëmbëlsire delikate.

Përbërësit

Mjaltë 250 gr

Miell 00 200 gr

Kos 110 gr

Gjalpë i freskët 65 gr

Niseshte 50 gr

Vezë 2 kokrra

Sodë buke 16 gr

Lëkura e një limoni

Sheqer pluhur

Përgatitja

Në një tenxhere të vogël hidhni mjaltin dhe vendoseni në zjarr të ngadaltë.

Pasi të jetë shkrirë hiqeni nga zjarri dhe shtoni aty gjalpin dhe kosin.

Me ndihmën e telit të kuzhinës përzjeheni masën derisa të lidhen përbërësit.

Më pas ndani të verdhën e vezëve nga e bardha në dy tasa të vegjël, në fillim shtoni në masën e mësipërme të verdhat dhe përsëri përzjeheni masën.

Kalojeni masën e formuar në një tas më të madh për të vazhduar dhe me hapat e tjerë të recetës.

Miellin AgroWeb.org ju këshillon që ta shtoni ngadalë, kështu do të keni mundësinë që t’i përzjeni mirë përbërësit.

Shtoni aty dhe niseshtenë dhe sodën e bukës.

Sigurohuni që të mos kenë mbetur kokrriza të pa tretura të miellit apo niseshtesë në brumin e krijuar.

Në një tas tjetër hidhni të bardhat e vezëve dhe rrihini deri sa vëllimi i masës të dyfishohet dhe të formohet një masë e fryrë e palëvizshme.

Të bardhat e vezëve të rrahura shtojini tek brumi dhe përzjeini me tel kuzhine derisa brumi të zbutet.

Këtu mund të shtoni dhe lëkurën e limonit nëse dëshironi që t’i jepni kekut tuaj një aromë më të freskët.

Në një tavë hidhni pak gjalpë të shkrirë apo vaj për gatim dhe lyejeni të gjithë sipërfaqen e saj.

Më pas spërkateni dhe me pak miell, kështu keku nuk do të ngjitet.

Kaloni brumin tek tava dhe vendoseni në furrë të parangrohur me 200 gradë celsius, përreth 40 minuta.

Kur të ketë marrë një ngjyrë të artë të lehtë, hiqeni nga furra dhe lëreni të ftohet.

Më pas, me ndihmën e një thike ndajeni nga anët e tavës dhe kthejeni tek një pjatë e madhe.

Me sitë spërkateni sipër me pak sheqer pluhur dhe mund ta servirni dhe të ngrohtë nëse dëshironi.

Ky kek mund të shoqërohet dhe me kafe, çaj apo lëng frutash, por dhe me reçelëra të ndryshme të përgatitura në shtëpi.

Mund të shërbehet për një mëngjes plot energji, por jo vetëm. /AgroWeb.org

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *