Connect with us

Politike

Këlliçi: Në administratë do punësojmë njerëz që kanë frikë nga Zoti

Drejtuesi i fushatës së PD-së në Tiranë, Belind Këlliçi, ka siguruar punonjësit e ndershëm të administratës shtetërore se nuk do t’u cënohet vendi i tyre i punës në rast fitoreje të demokratëve në zgjedhjet e 11 Majit.

Këtë zotim ai e bëri nga studio e emisionit Opinion në Tv Klan, ku theksoi se zyrtarët e administratës të përfshirë në vjedhje dhe korrupsion do të largohen, ndërsa pjesa e shëndoshë e punonjësve do të jenë të sigurt në vendin e punës.

Belind Këlliçi u angazhua se administratë publike do të pasurohet me punonjës që kanë frikë ligjin dhe Zotin.

“Jemi në kontakt të panumërt me punonjës të administratës që janë njerëz që kërkojnë dhe shpresojnë ndryshimin në datë 11 Maj, duan një garanci dhe po ja u jap sot edhe nga Opinioni, padiskutim administrata publike, punonjësit e ndershëm, ata që janë aset publik nuk preken nga ndryshimi në datë 11 dhe nuk do të preken. Ata që marrin rrogë 800 mijë Lekë-1 milionë Lekë të vjetra dhe kanë biznese me miliona Euro. Një pjesë e drejtorëve të bashkisë i ke në burg, por pjesa tjetër i ke me biznese. Një ish-drejtor, ky i policisë bashkiake, Kapllani, kishte dalë aksioner me 700 mijë Euro para një muaji, do merremi, se sot më kanë ardhur letrat. Këta lloj njerëzish që e kanë rrogën 800 mijë Lekë dhe që kanë biznese miliona Euro, këta nuk do ekzistojnë më.

Administrata publike duhet ta dijë që është pasuri kombëtare, ka investuar PD edhe në forcimin e kapaciteteve të administratës publike edhe nuk preken njerëzit e ndershëm, dhe mbi të gjitha do pasurohet ajo administratë me njerëz që kanë frikë ligjin dhe padiskutim njerëz që kanë frikë Zotin, njerëz besimtarë. Ta them me bindje këtë, se po nuk pate frikë ligjin dhe Zotin përfundon si këta që kanë marrë lekët e shqiptarëve, i kanë bërë rrush e kumbulla, kanë vjedhur miliona Euro dhe sot me tallava, me këngë thonë që nuk kanë nevojë shqiptarët për programe”, tha ndër të tjera Belind Këlliçi.

Advertisement