Connect with us

Aktualitet

Këmbana alarmi/Inteligjenca Artificiale, burim rreziku manipulimesh për videot dhe zërin

Studentë, gazetarë dhe profesionistë të tjerë në Shqipëri po e përdorin inteligjencën artificiale si një mjet ndihmës në punën e tyre të përditshme, por bashkë me avantazhet teknologjike lindin edhe shqetësime të reja për keqpërdorimin.

Në fillim të tetorit, një video me përmbajtje erotike qarkulloi masivisht në telefonat celularë të shqiptarëve dhe përmes publikimit në mediat tabloide. Videoja u bë virale për shkak të ngjashmërisë së vajzës që shfaqej në të me njërën nga personazhet më të njohura të showbizz-it në Shqipëri, Luana Vjollca.

Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, Vjollca e denoncoi videon si baltosje dhe mohoi që të ishte ajo protagonistja. Por spekulimi mori fund vetëm pasi ekspertë të teknologjisë e analizuan videon dhe vlerësuan se ajo ishte manipuluar përmes teknologjisë deepfake të prodhuar përmes inteligjencës artificiale.

“Kjo teknologji jo vetëm që mund të krijojë video të manipuluara, por edhe të klonojë zërin e një personi me një saktësi të jashtëzakonshme,” sqaroi përmes një postimi në Facebook Blerim Gjeladini, përfaqësues i kompanisë së teknologjisë “Terra”.

 

 

Inteligjenca artificiale ka nisur si disiplinë akademike në mesin e shekullit të kaluar, por fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm vjeshtën e vitit 2022, kur kompania OpenAI lançoi ChatGPT. Prej asaj kohe, ChatGPT numëron mbi 180 milionë përdorues në të gjithë botën.

Shqipëria nuk bën përjashtim, ku studentë, gazetarë dhe profesionistë të tjerë po e përdorin inteligjencën artificiale si një mjet ndihmës në punën e tyre të përditshme. Megjithatë, episodi me videon e fillimit të tetorit ka krijuar shqetësime mbi efektet e teknologjisë në manipulimin e informacionit.

Blerjana Bino, drejtore ekzekutive e Qendrës “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim”, SCiDEV, vlerëson avantazhet e përdorimit të inteligjencës artificiale nga shumë profesione, por thekson gjithashtu se ky mjet ka rrezik të përdoret edhe nga aktorët që kanë për qëllim dezinformimin e publikut.

“Mendoj se kanë një instrument të ri shumë të fuqishëm në dispoziocion kur vjen puna te dezinformimi, manipulimi i informacionit apo të lajmeve të fabrikuara,” tha Bino.

Advertisement