Connect with us

Kosova

Kemi interesat tona/ Vuçiç: Nuk jemi shërbëtorë as të Rusisë, as të SHBA-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha shteti i tij ka politikat dhe interesat e veta dhe nuk është shërbëtor “as i Rusisë, e as i Shteteve të Bashkuara”.

Ai gjithashtu u shpreh se Serbia respekton Kartën e OKB-së dhe integritetin territorial të Ukrainës, teksa tha se shtetet e fuqishme nuk respektojnë rezolutën 1244 dhe “integritetin territorial të Serbisë”.

Vucic gjithashtu përsëriti akuzat ndaj Perëndimit se ka shpërfillur Kartën e OKB-së, kur ish-Jugosllavia e atëhershme u bombardua nga NATO-ja, bombardime që çuan në çlirimin e Kosovës.

“Të gjithë në botë flasin për Ukrainën, teksa askush nuk guxon të flasë për Serbinë, por edhe kur flasin, ata thonë se si ne do nisim luftë imagjinare në Ballkan nën urdhrat e Rusisë. Ata kanë gënjyer gjatë gjithë kohës për më shumë se dy vjet e gjysmë” – deklaroi Vucic duke theksuar: – “Ata që kanë kryer agresion kundër Serbisë, që tentuan të ndajnë një pjesë të territorit të saj, ende tentojnë të na bindin se është zgjidhja e vetme demokratike dhe e arsyeshme, që ‘Kosova dhe Metohia’ të shkëputet nga Serbia. Ata i kanë ofruar armë të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës, që nesër do të bëhen Forcat e Armatosura shqiptare në territorin e Serbisë”.

Vuçiq tha se kur i pyesin se në bazë të çfarë dokumentesh ndërkombëtare e ofrojnë një ndihmë të tillë për FSK-së, ai tha se merr “përgjigje nga më idiotet” se “nuk e pranojmë Kartën e OKB-së sepse situata ka ndryshuar sepse e kemi pranuar pavarësinë e Kosovës”.

Autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Serbinë se është “dorë e zgjatur e Rusisë” dhe Moska po tenton ta destabilizojë Kosovën përmes Serbisë.

Serbia ka raporte të mira me Rusinë dhe është ndër vendet e pakta në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Moskës, për nisjen e pushtimit të Ukrainës më 2022.

Advertisement