Connect with us

Politike

“Keni frikë se ju ‘helmoj’…”/ Meloni mbron Ramën, RAI3 rikthen dokumentarin për Shqipërinë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në një intervistë për RAI3, shprehet se ngritja e qendrave të pritjes së emigrantëve në Shqipëri po ecën përpara.

Meloni nuk ka nguruar të vlerësoi homologun shqiptar Edi Rama dhe tha se ai është sulmuar për këtë marrëveshje padrejtësisht.

Një tjetër pikë vendimtare në qendër të fushatës elektorale për zgjedhjet europiane është çështja e migracionit dhe lufta kundër emigracionit të parregullt, për të cilën Giorgia Meloni bëri marrëveshje me kryeministrin shqiptar Edi Rama për ndërtimin e dy qendrave të pritjes për emigrantët që kanë zbarkoi në Itali përtej Adriatikut, një pikë vendimtare e politikës së saj për të luftuar trafikantët e qenieve njerëzore dhe për një menaxhim të ri të trafikimit të migrantëve.

“Projekti në Shqipëri po përparon, do të funksionojë së shpejti. Do të jetë një projekt strategjik. Politika e menaxhimit të migracionit në BE mund të ndryshojë shumë. Më bën shumë për të qeshur që eksponentët e Partisë Demokratike, të cilët më parë na sulmuan se ne po ndërtonim një Guantanamo, tani ankohen për vonesat në ndërtimin e Guantanamos. Projekti do të funksionojë dhe mendoj se është strategjik.

 

 

Ky projekt dëshmon se ne po i bëjmë këto lëvizje për të mirën e vendit tonë. Të gjithë duhet të kuptojnë se nëse protokolli me Shqipërinë funksionon siç duhet, do të ndikonte pozitivisht në menaxhimin e duhur të refugjatëve të paligjshëm edhe në nivel europian”, tha Meloni.

Ajo ka shprehur vlerësime për Ramën.

“Dua të falenderoj publikisht Edi Ramën sepse ai ka qenë objekt i çdo lloj sulmi, që kur vendosi që të nënshkruajë këtë protokoll me ne. Fakti që e majta këtu kërkonte përjashtimin e tij nga Partia Socialiste Europiane që e quan Shqipërinë narko-shtet, fakti që atij i atribuojnë fjalë që nuk i ka thënë, është padrejtësi. Ajo që dëshiron të bëjë Edi Rama është që të ndihmojë Italinë”, tha ajo.

Projekti për ngritjen e qendrave të pritjes së refugjatëve në Gjadër dhe në Shëngjin pritet të nisë nga funksionimi në muajt në vijim, duke pritur në të refugjatët e shpëtuar në det nga policia italiane.

Ndërkohë stafi i emisionit “Report” në RAI3 ka njoftuar se pjesën e dytë të dokumentarit mbi Shqipërinë do e transmetojë në 3 qershor.

Në pjesën e parë, në fokus të dokumentarit ishin lidhjet me krimin, ndërsa u artikuluan akuza në drejtim të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi.

Pas publikimit të pjesës së parë të dokumentarit pati reagime të forta politike nga Tirana dhe Roma, ndërkohë Kryeministri Edi Rama i cilësoi si shpifje ato që u cilësuan si lidhje të krimit me politikën apo pjesëtarë të stafit të Kreut të Qeverisë.

“Pas sulmeve të dy kryeministrave, asaj italiane, Giorgia Meloni dhe atij shqiptar, Edi Rama, i rikthehemi trajtimit të marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë. Intervistuam kreun e qeverisë shqiptare, i cili pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të Giorgio Mottola-s, madje edhe atyre të mprehta për infiltrimin e mafies shqiptare në qeverinë e tij”, njofton “Rai 3” në trailer-in e emisionit.

Trajleri zbulon edhe një detaj, kur gazetarët i kanë refuzuar kafen, me të cilën Kryeministri ka dashur ti tregojë mikpritjen.

“I ripërsëritëm kërkesën për intervistë Edi Ramës që na priti në godinën e qeverisë. Ai na tregoi mikpritjen, por mbeti pak keq kur i refuzuam kafen që na ofroi”, thekson televizioni italian.

“Ishit pak i dyshimtë edhe për kafenë që refuzuat, sepse me atë që keni në mendje mund t’u dukem mbase edhe si autokrati që “helmoj” gazetarët”, shprehet Rama.

Gazetarët e emisionit investigativ në RAI3 kanë paralajmëruar investigim më të thellë lidhur me kampin e refugjatëve në Gjadër.

“Një nga personat e kontraktuar për ndërtimin e kampit, ka një kompani për të cilën nuk gjetëm asgjë në të dhënat e qeverisë. Ky person përmendet në një rast të korrupsionit të zyrtarëve. Ka disa politikanë që kanë gjetur Eldoradon në Shqipëri”, paralajmërohet në klipin e “Rai 3”, mbi atë që do të publikohet të dielën.

Advertisement