Aktualitet
Kërcënime nga Irani/ ‘Daily Express’: Do të goditet me raketë kampi MEK
Shteti iranian ka lëshuar një kërcënim të fortë për sulm me raketa ndaj një grupi opozitar në Shqipëri që po strehohen në kampin e MEK. Lajmi vjen pasi grupi i krahut të majtë ekstrem ngriti bazën e tyre në Evropën Lindore pas dëbimit të tyre nga Iraku.
Organizata ishte akredituar më parë si një grup terrorist derisa SHBA hoqi titullin.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars bëri thirrje për shënjestrimin e grupit në Evropë përmes përdorimit të raketave balistike dhe dronëve. Me bazë në Shqipëri pranë qytetit të Durrësit, kampi i njohur si Ashraf 3 është shtëpia e të mërguarve iranianë. “Fars News Agency” e lidh këtë kërcënim me nevojën e një hakmarrje pasi bën përgjegjës MEK për vrasjen e 17.000 iranianëve, përmes atyre qe i quan si akte terroriste të opozitës, 3000 anatarë të së cilës strehohen në Shqipëri.
Sipas “Daily Express” për arsye sigurie një javë më parë u anullua takimi vjetor i MEK ku ishin ftuar si folës edhe disa senatorë dhe kongresmenë amerikanë.
Në shtator të vitit 2016 Agjencia shtetërore Iraniane e Lajmeve, “ParsToday” paralajmëroi Shqipërinë se ndodhet në prag lufte, për shkak të pranimit të grupit të muxhahedinëve, të shpallur armiq nga Teherani.
Agjencia e krahasonte pranimin e muxhahedinëve nga Shqipëria, të njëjtë me “vendosjen e izraelitëve në Palestinë në shekullin e kaluar”.
“Nuk është problemi i një grupimi njerëzish, etnie, rrace, feje. Absolutisht jo. Çështja është se muxhahidinët janë armiq të shtetit të Iranit“, shkruante Pars Today.
Nga ana tjetër, grupi MEK gjithashtu ka ushtruar presion mbi sistemin e drejtësisë suedeze kohët e fundit, duke akuzuar ish-gardianin iranian të burgut Hamid Nouri për krime lufte dhe vrasje. Irani pretendoi se Nouri ishte arrestuar në mënyrë të paligjshme nga Suedia dhe pretendonte se gjyqi ishte i paligjshëm.