Connect with us

Aktualitet

Kërcënimet që vijnë nga Lindja, Mediu tregon masat që duhen marrë për rritjen e sigurisë në Shqipëri

Rreziku i ndikimit rus mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për Ballkanin.

Duke folur në Komisionin për Dezinformimin, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, tha se Shqipëria është e ekspozuar përballë sulmeve kibernetike. Ndërsa kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, i cili kërkoi ndryshime ligjore, u shpreh se kohët e fundit janë shtuar portalet me origjinë ruse në gjuhën shqipe.

Për të diskutuar më shumë për masat që duhen marrë për rritjen e sigurisë në Shqipëri e rajon, në një emision televiziv ishte kryetari i PR, Fatmir Mediu.

Z.Mediu tha se Kina, Irani dhe Rusia bashkëpunojnë me njëra tjetër, për të zgjeruar influencën dhe për të penguar zhvillimin drejt NATO-s dhe drejt Bashkimit Evropian të vendeve të Ballkanit.

Deputeti u shpreh se e rëndësishme është ndërtimi i një strukture ushtarake që mund të përgjigjet në kohë për një agresion të mundshëm që mund të vijë nga Irani, Rusia dhe Kina.

Intervista e plotë:

Si paraqitet aktualisht kërcënimi ndaj sigurisë së Shqipërisë?

Mediu: Shqipëria ka nevojë për një institucion të rëndësishëm që bën analizën e sigurisë, dhe ne nuk e kemi një institucion të tillë. Kemi një ndryshim të madh gjeopolitik. Kina, Irani dhe Rusia bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të zgjeruar influencën dhe për të penguar zhvillimin drejt NATO-s dhe drejt Bashkimit Evropian të vendeve të Ballkanit. E para, ne duhet të jemi më seriozë në këtë analizë. E dyta, kur jemi pjesë e NATO-s, duhet të kuptojmë pse jemi pjesë e saj, pra kemi një dimension politik dhe ushtarak. Dimensioni politik i NATO-s kërkon që ne të rrisim peshën tonë me anë të një angazhimi shumë serioz me vendet e tjera të NATO-s në Ballkan, sidomos Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe Kosovën. Ajo që është e rëndësishme është ndërtimi i një strukture ushtarake që mund të përgjigjet në kohë për një agresion të mundshëm që mund të vijë nga këto vende.

Ministri tha se 99% e kësaj propagande bëhet në gjuhën serbe. Kjo do të thotë që ne jemi më pak të rrezikuar nga ky ndikim sesa Serbia, apo jo?

Mediu: Duhet të bëjmë një analizë të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Rusia vepron në të gjitha gjuhët, e bën në gjuhën serbe sepse shumica e vendeve të rajonit njohin gjuhën serbe, por mendoj se është aktive edhe në anglisht. Ky lloj diskutimi, pak spontan, nuk sjell produktin që duhet. Ka nevojë për një diskutim më serioz për të trajtuar çështje të tilla.

A është për t’u vlerësuar fakti që Autoriteti i Komunikimeve Postare Elektronike në Shqipëri, rreth dy muaj më parë, mbylli rreth 150 platforma dixhitale që ishin ose me origjinë nga Rusia, ose të paguara nga Rusia? Ndërkohë, ju thoni se duhen marrë edhe masa të tjera, apo jo?

Mediu: Absolutisht, është pozitive, por ne duhet të jemi proaktivë për të parandaluar veprime të tilla, sepse kur i mbyll ato, ato tashmë kanë shtrirë efektin e tyre. Duhet të kemi një politikë të qartë ligjore dhe institucionale. Kanë influencë jo të vogël, dhe mendoj që ne, si shqiptarë, duhet të bëjmë një analizë të qartë.

Advertisement