Connect with us

Kosova

Kërcënimet serbe, Kosovës i kërkohet të vijojë investimin në mbrojtje

Veprimet e Serbisë vijojnë të jenë kërcënim për Kosovën dhe kjo ka bërë që edhe liderët të ngrenë shqetësimet publikisht për çfarë mund të pasojë.

Për ekspertët e sigurisë, Kosova duhet të krijojë një bazë të fortë të qëndrueshmërisë për t’ju kundërpërgjigjur çfarëdo rreziku dhe kjo bëhet edhe me krijimin e mekanizmave të rinj të sigurisë.

“Ne do të duhet të fillojmë të mendojmë në kontekstin e avancimit dhe përmbylljes së arkitekutrës së sigurisë, të krijojmë mekanzima të rinj të sigurisë dhe të investojmë më tutje në aspektin e sigurisë dhe dalëngadalë të krijojmë edhe Agjencionin e Industrisë së Mbrojtjes që është parakusht kryesor i stabilitetit në kontekstin logjistik, operacional për komponentën e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë”, tha Drizan Shala.

Kosova duhet të vijojë të investojë në pajisje dhe kuadro por gjithashtu theksohet nevoja që politika të mbajë duart larg nga institucionet e sigurisë, si pjesa më vitale e shtetit.

“Kushdo që është në pushtet, sot është Vetëvendosje, nesër mund të vijë PDK, pasnesër dikush tjetër, të jetë e kujdesshme që institucionet e sigurisë të mos politizohen por të mbështeten, gjithashtu të mbështeten profesionistët në këto institucione, pra nëse ne investojmë në pajisje, në logjistikë, në trajnime, në zhvillim, ne duhet që sa më shumë politika të qëndrojë larg, jashtë policisë, jashtë FSK-së, jashtë AKI-së, ndërsa normalisht të bëhet mbikëqyrja demokratike që kanë edhe mandat ministrisë e caktuara”, u shpreh Rashit Qalaj, ish-drejtor i policisë.

Përpos policisë, përgjegjës për sigurinë në Kosovë mbetet edhe KFOR-i dhe EULEX, por që të dy këto misione pritet që t’ju përfundojë mandati një ditë.

Advertisement