Kronike
Kërcënimi/ Princesha e ngujuar dhe roli i shqiptarëve
Holandë
Dyshimi se Princesha Amalia e Oranzhit, e bija e mbretit William dhe Maxima të Holandës , është shënjestër e krimit të organizuar, ka bërë që Qeveria të reduktojë në mënyrë drastike lëvizjet e saj, deri në atë pikë sa thuajse ta mbyllë atë në shtëpinë e saj. Ajo largohet për të shkuar në universitet, në Amsterdam dhe më pas kthehet në pallatin Huis ten Bosch, rezidenca zyrtare e familjes mbretërore, në Hagë. Këtë e thanë prindërit e saj javën e kaluar gjatë një vizite zyrtare në Suedi.
Policia dhe Ekzekutivi holandez qëndrojnë të heshtur, ndërsa ekspertët e sigurisë dhe terrorizmit i japin besueshmëri kërcënimit dhe e shohin si “shumë të mundshme” që sfida të vijë nga grupe kriminale të lidhura me trafikun e drogës. Është një kërcim cilësor i paprecedentë në një vend në të cilin kriminelët kanë kaluar nga hesapet mes anëtarëve apo rivalëve të tyre në sfidën e demokracisë. Kryeministrit Mark Rutte, i cili shpesh shkon me biçikletë në punë, i është dashur të pranojë gjithashtu mbrojtje të shtuar nga kërcënimet për jetën.
“Ky lloj kërcënimi u konsiderua praktikisht i pamundur disa vite më parë”, thotë në telefon sociologu Paul Schnabel, duke iu referuar situatës së princeshës Amalia. Trashëgimtarja e fronit po studion për Politikë, Psikologji, Drejtësi dhe Ekonomi, dhe Rutte ka siguruar se “po bëhet gjithçka që është e mundur për ta zgjidhur problemin shpejt”. “Edhe pse nuk mund të garantoj kohën”, paralajmëroi ai.
Nuk është përjashtim që nëpunësit publikë marrin ndonjë kërcënim për funksionin ose menaxhimin e tyre, por në këtë rast “mungon elementi ideologjik ose një objektiv i qartë politik”, thotë Jelle van Buuren, një eksperte sigurie në Universitetin e Leiden. “Kur objektivi nuk është më paraja, por shteti, simbolet dhe institucionet e tij, mund të konsiderohet një formë terrorizmi,” thotë ai. Përforcimi i sigurisë për përfaqësuesit e shtetit nisi të vihej re në shtator, kur gazeta De Telegraaf publikoi se “kryeministri dhe princesha i referoheshin mesazheve të koduara nga krimi i organizuar për një sulm apo rrëmbim të dyshuar”.
Erwin Bakker, profesor i Studimeve të Terrorizmit në të njëjtin universitet holandez, ndan mendimin e kolegut të tij. Atij i duket gjithashtu se të frikësosh në këtë mënyrë kreun e ardhshëm të shtetit dhe kryeministrin do të thotë “të hysh në një realitet të ri që e vë në rrezik Holandën në të njëjtin nivel me shtetet e tjera”. “Ndoshta ndihemi larg vendeve si Meksika apo Italia, ku kemi parë krime mafioze, por kjo është një formë e mohimit të realitetit. Qeveria e ka kuptuar se krimi i organizuar kërcënon rendin juridik dhe se duhet të investojë më shumë në siguri”.
Vrasja e De Vries, një pikë kthese
De Vries, 64 vjeç, ishte i besuari i dëshmitarit të akuzës në çështjen Marengo, një gjyq kundër anëtarëve të dyshuar të të ashtuquajturës Mocro Mafia, kushtuar trafikut të drogës. E formuar nga disa banda, anëtarët e saj janë holandezë, gjithashtu me origjinë turke dhe marokene (nga këtu edhe termi mokro), antileas, suriname dhe shqiptarë. Ato operojnë kryesisht në portet e Antwerpen, në Belgjikë dhe në Amsterdam, megjithëse rrjeti i tyre i kontakteve është ndërkombëtar. Një nga drejtuesit kryesorë të saj është Ridouan Taghi, i mbyllur në një burg të sigurisë maksimale në jug të Holandës. Në vitin 2019 pati një tjetër krim lidhur me këtë mjedis që tronditi shoqërinë holandeze: vrasja e avokatit 44-vjeçar Derk Wiersum, i cili mbrojti të njëjtin dëshmitar që i besoi De Vries. Dy vjet më vonë gazetari u vra.
Veprimi i krimit të organizuar kundër autoriteteve shtetërore shtrihet përtej kufirit të Holandës. Katër shtetas holandezë u arrestuan në shtator në dhe rreth Hagës pasi policia gjeti një makinë me armë dhe shishe benzine në Belgjikë. Automjeti ishte me targë holandeze dhe u gjet përballë shtëpisë së ministrit belg të drejtësisë, Vincent van Quickenborne. Mediat belge theksuan se politikani, i cili kaloi disa ditë me siguri të përforcuar, kishte marrë kërcënime serioze nga “bota e drogës”.
Sipas Van Buuren, “krimi i organizuar është i vështirë të luftohet kudo dhe Holanda ka një pozicion të privilegjuar gjeografik për transportin dhe prodhimin e produkteve të të gjitha llojeve; edhe droga”. “Ne kemi aeroportin Schiphol dhe portin e Roterdamit, lidhje të shkëlqyera dhe rrugë të mira,” thekson ai. Por deri në vdekjen e avokatit dhe gazetarit, shoqëria holandeze besonte se këta lloj kriminelësh vetëm vranë njëri-tjetrin, thotë eksperti. Bakker e vendos kërcënimin e krimit të organizuar si një nga sfidat kryesore të vendit: “Dhuna e krimit të organizuar minon rendin ligjor demokratik,” thekson ai.
Të dy ekspertët bëjnë thirrje për një debat kombëtar sepse, sipas Bakker, “problemi social dhe i krimit” në vend nuk është trajtuar mjaftueshëm deri më tani. Van Buuren shton: “Ka dallime në Parlament për legalizimin e drogës, por jo aq për çështjet e sigurisë: duhet të flasim”.