Connect with us

Kronike

Kërcënohet ekonomia shqiptare

Kërkesa konsumatore e qëndrueshme, rritja e punësimit dhe e pagave, si dhe pritjet për norma inflacioni të larta po zgjerojnë bazën e presioneve në ekonominë shqiptare.

Raporti i politikës monetare për tremujorin e vitit 2022 i Bankës së Shqipërisë nënvizon se presionet inflacioniste po bëhen edhe më komplekse.

Inflacioni në ekonominë shqiptare u rrit në nivelin 7.9% në tremujorin e tretë të vitit, nga mesatarja prej 6.7% e shënuar një tremujor më parë.

Çmimet e larta të ushqimeve dhe të naftës vijojnë të japin kontributin kryesor në inflacion, por rritja e çmimeve vihet re tek një gamë gjithnjë e më e gjerë produktesh dhe shërbimesh.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë konston se kërkesa konsumatore u shfaq relativisht rezistente ndaj goditjeve.

Ajo u rrit me norma të qëndrueshme edhe në tremujorin e dytë, e mbështetur nga rritja dinamike e punësimit dhe e pagave, nivelet e larta të kursimeve dhe paketat e rezistencës sociale.

Analiza e Bankës së Shqipërisë tregon se do të duhet ende kohë që rritja e çmimeve dhe shtrëngimi i politikës monetare ta frenojë kërkesën konsumatore në një masë të mjaftueshme për të ulur presionet inflacioniste në ekonomi.

Ndërkaq Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do të mbetet i lartë deri në fillim të vitit 2023, por ai parashikohet të ulet gradualisht. Nivelet e larta të inflacionit në afatin e shkurtër do të pasqyrojnë si veprimin e faktorëve globalë, si çmimet e larta të ushqimeve dhe të naftës në tregjet botërore – ashtu dhe veprimin e faktorëve të brendshëm, ashtu edhe rritjen e kërkesës, punësimit, pagave dhe pritjet e larta inflacioniste.

 

Advertisement