Politike
Kërcënoi punonjësit për bindjet politike, Noka kallëzon në SPAK Majlinda Bufin
Partia Demokratike, e përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, ka bërë sot një kallëzim penal në SPAK ndaj Kryetares së bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufit.
Kallëzimi është bërë për dy vepra penale nga ana e znj. Bufi: “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Në kallëzimin që i drejtohet drejtuesit të SPAK, z. Dumani, shpjegohen shkeljet e rënda që kryebashkiakja eRoskovecit ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore kundër punonjësve të administratës publike për t’i penguar ata të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe.
Kjo dëshmohet me denoncimin e kryer nga emisioni investigativ Piranjat në SYRI TV, ku kryebashkiakja që kandidon për një mandat të dytë në drejtimin e Roskovecit, diskriminon arsimtaren Dhurata Malka për shkak të bindjeve politike dhe intimidon sanitaren në shkollën e fshatit Suk.
“Përfundimisht nga SPAK kërkojmë”, thuhet në përfundim të shkresës së PD, “regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj shtetases së kallëzuar, kryetares në detyrë të bashkisë Roskovec, znj. Majlinda Bufi si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për marrjen në pyetje të të gjithë personave të përmendur në kallëzim për sqarimin sa më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara më sipër.”