Politike
Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetajt, Nikolla thërret mbledhjen e Këshillit të Mandateve
Pas kërkesë së SPAK drejtuar Kuvendit, për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Mësohet se Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet nesër 11.07.2023 në orën 16:00. Mbledhja do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit.
Ndaj Arben Ahmetajt janë ngritur tre akuza penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie. Për këto akuza është kërkuar dhe arrestimi i tij.
Bashkë me lejen për arrestimin është dhe ajo për kontrollin personal dhe të celularëve të tij.
Më herët SPAK ka vepruar me kontrollin e dy banesave, të partneres së z. Ahmetaj në Hamallaj dhe një vilë në zonën e Palasës që mendohet se disponohet nga ish-bashkëshortja e Ahmetaj.
Të dy pasuritë janë sekuestruar nga SPAK dhe ka pasur një përpallje të tij me drejtësinë që e kundërshtonte këtë kontroll dhe sekuestro, sidomos për banesën në Hamallaj ku jetonte me bashkëjetuesen Erjola Hoxha.
URDHER
Nr. 37, datë 10.07.2023
PËR THIRRJEN E KËSHILLIT PËR RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN, DATË 11.07.2023, ORA 16.00
Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, neni 288 te Kodit te Procedurës Penale, nenit 13 pika 4 dhe nenit 118, të Rregullores së Kuvendit,
URDHËROJ:
- Thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, datë 11.7.2023, ora 16.00, në Kryesinë e Kuvendit.
- Rendi i ditës është si më poshtë:
Shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. : Arben Ahmetaj
III. Mbledhja e Këshillit për Rregulloren. Mandatet dhe Imunitetin, sipas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, do të zhvillohet me dyer të mbyllura, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedural penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor.
- Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për njoftimin e deputetit, z. Arben Ahmetaj, dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes.
- Ngarkohen Shërbimet e Kuvendit për shpërndarjen me anë të postës elektronike zyrtare, të urdhrit dhe kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit
- Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.