Aktualitet
Kërkohej nga SPAK/ Eljo Bitri ishte nisur për atentat në Roterdam?
Gjykata e Almelo në Holandë dënoi para disa ditësh me 30 muaj burg 36-vjeçarin shqiptar Eljo Bitri alias Ervis Bitri alias Bledar Debrova.
Ai u kap nga policia holandeze në nëntor të vitit të kaluar teksa kalonte kufirin në De Lutte me tre armë zjarri të mbushura. Policia shqiptare njoftoi në nëntor se 36-vjeçari nga Elbasani kërkohet edhe nga SPAK në kuadër të operacionit “Golden Bullet”, por edhe nga policia belge.
Kjo pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, më datë 31.05.2022, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arrestin për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga Kodi Penal i Belgjikës.
Në fakt sa i takon akuzave të ngritura nga SPAK, ato nuk janë pak, por bëhet fjalë për 7 ngjarje të ndryshme, përfshirë 3 vrasje.
“BalkanWeb” zbulon sot se Eljo Bitri është kapur në pikën kufitare De Lutte brenda një “Mercedes-Benz” luksoz të drejtuar nga 49-vjeçari serb Ohran K. Në mjet policia holandeze ka sekuestruar 3 pistoleta me silenciator të llojeve “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Zastava” të gjitha të kalibrit 9 mm si dhe mbi 5 mijë euro cash.
Eljo Bitri ishte në posedim të një pasaporte dhe të një patente false. Ai rezulton të ketë goditur në kokë edhe një shqiptar në Barcelonë, siç raportojnë mediat holandeze.
Madje prokurori publik në Holandë, la të kuptohet se Bitri ishte rekrutuar për një detyrë vrasje për një grup kriminal në Roterdam.
Ohran K. ishte thjesht shofer i Mercedesit. Ai do të merrte disa qindra euro për ta çuar Bitrin në Roterdam, por tha se nuk dinte asgjë për armët dhe arsyen e udhëtimit në Roterdam. Vetëm ADN-ja e Bitrit u gjet në tre armët e mbushura dhe në pjesët e lira të atyre armëve. Ai në seancë deklaroi se ato gjurmë duhet të kenë ardhur pasi ka lënë një peshqir në makinë.
I pandehuri Ohran K. u lirua nga akuza për kontrabandë me qenie njerëzore dhe importim të armëve.
Ndaj shtetasit K. u kërkua edhe një dënim prej 30 muajsh burg, por gjykata nuk e konsideron të provuar në rastin e tij se ai mund të dinte se Bitri ka udhëtuar nëpër Evropë me letra false.
Gjithashtu nuk është vërtetuar se K. ka pasur dijeni për armët që janë gjetur në një dhomë të posaçme në Mercedesin shumë të shtrenjtë në pikën kufitare në De Lutte.
Shtatë akuzat e SPAK në ngarkim të shtetasit Eljo Bitri:
1.“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Mustafa Subashi (ngjarje e ndodhur në Durrës në datën 29.01.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
2.“Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, në dëm të viktimave Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdia (ngjarje e ndodhur në datën 02.03.2020) të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 79/dh, 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal;
3.“Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 78/2, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal (vrasja në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjje “28 Nëntori”, Elbasan).
4.“Shkatërrim i pronës me eksploziv” ndaj banesës së shtetasit Talo Çela (ngjarje e ndodhur në datën 05.11.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
5.“Dhuna në familje” në dëm të shtetases Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 130/a/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
6.“Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamdi Sharka (ndodhur në fshatin Polizhan – Berat), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
7.“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal.