Connect with us

Kronike

Kërkoi lirimin nga qelia, GJKKO lë në burg “të fortin” e Kukësit (Emri)

Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Bujar Ajetit (Gërmizit) për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”.  Elsa Ulliri ishte gjyqtarja që refuzoi kërkesën e personazhit të botës së krimit, i njohur edhe si “i forti” i Kukësit.

Bujar Gërmizi akuzohet për krijimin e kushteve për vrasje dhe grupi i tij kriminal ku bënte pjesë u zbërthye përmes aplikacionit “SKY Ecc”.

NJOFTIMI I GJKKO: 

Kërkuesi Bujar Ajeti (Gjermizi), më datë 09.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:

1. Verifikimin e nevojave të sigurimit nëpërmjet marrjes së informacionit për hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përsa i përket procedimit penal në ngarkim të shtetasit Bujar Ajeti (Gjermizi);

2. Zëvendësimin e masës së sigurimit të “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale në masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penal.”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, bazuar në nenin 246/6 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 432, datë 29.07.2024, vendosi:

Verifikimin e nevojave të sigurimit dhe vazhdimi i zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit Bujar Ajeti me anë të vendimit Nr.124, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Tiranë, më datë 29.07.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Përgjimet nga dosja e hetimore e grupit kriminal ku Bujar Ajeti ishte pjesë, zbuluan planet e Ismail Zenelit për eleminimin e dy vëllezërve Albert e Edmond Nela, të cilët jetojnë në Britani. Ismail Zeneli i cili më herët ka pasur emrin Luan Sadria dyshohet se porositi vrasjen e dy vëllezërve, të cilët dyshoheshin se në 2013 ne Britani kishin vrarë Guximtar Sadrinë vëllain e Luan Sadrisë, i cili atje kishte emrin Xhem Krasniqi. Në shenjë hakmarrje ai kërkon eliminimin e tyre dhe këtë e merr përsipër Bujar Ajeti Gërmizi.

“I forti” i Kukësit kishte lidhje edhe me Nuredin Dumanin.  Gërmizi me anë të lidhjeve të tij, e ka ndihmuar Dumanin në kohën që ky i fundit ishte në kërkim, të kalojë disa herë pikën kufitare të Morinës duke hyrë në territorin e Kosovës dhe anasjelltas pa probleme.

Advertisement