Aktualitet
“Kërkoi…”/ Qytetari vdiq brenda ambienteve, reagon Gjykata e Tiranës
Gjykata e Tiranës ka reaguar për çështjen në gjykim të qytetarit që humbi jetën sot në ambientet e institucionit të drejtësisë. Në reagim thuhet se qytetari nuk ka qenë i shoqëruar me avokat në seancë dhe se ai ka kërkuar shtyrjen e saj për të patur prezent avokatin. Po ashtu në njoftim thuhet se gjykata e ka miratuar kërkesën e qytetarit për t’i dhënë mundësi të mbrohet me avokatin e kërkuar.
“Çështja me nr.35 akti, me të pandehur shtetasin I.D., është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në datën 28.10.2021 dhe shortuar pranë gjyqtarit Lazër Sallaku, i cili e ka vazhduar gjykimin e çështjes derisa KPK mori vendim për pezullimin e tij nga detyra. Pas rishortimit çështja kaloi tek gjyqtar Albert Meça, pranë të cilit vazhdon proçesi gjyqësor. Ju sqaroj se seanca e fundit është zhvilluar në praninë e Gjyqtarit, të Prokurorit dhe vetë të të pandehurit, i cili nuk ka qenë i shoqëruar me avokatin e tij. I pandehuri, në seancën e zhvilluar ka kërkuar para gjykatës shtyrjen e seancës për të pasur prezent avokatin e zgjedhur prej tij, pasi avokati e ka pasur të pamundur të paraqitet. Gjykata, ka miratuar kërkesën e bërë nga i pandehuri, pikërisht për ti dhënë mundësinë të pandehurit të mbrohet me avokatin e kërkuar prej tij dhe ka shtyrë seancën në datën 01.02.2024”, thuhet në reagim.