Politike
Paraqitet si viktimë…’/ Berisha: Veliaj, padron i inceneratorit
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë ditën e sotme një deklaratë për mediat, nga ku ka folur për inceneratorin e Tiranës dhe nuk ka kursyer akuzat për kreun e bashkisë, Erion Veliaj.
Berisha është shprehur se Veliaj po kërkon të paraqitet si viktimë ose klient i Klodian e Zotos e Mirel Mërtirit, por sipas tij kreu i bashkisë është “padron i djegësit të Tiranës”.
“Erion Veliaj ka mobilizuar këto kohë të gjitha potencialet e tij mafioze mediatike dhe të tjera e kërkon me çdo kusht të paraqitet ose si viktimë, ose te SPAK si myshteri i Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Në këtë kuadër burime të ndryshme shprehen se ai po bën presion të madh edhe në sistemin e drejtësisë. Dua të theksoj se këto qëndrime përbëjnë vepër të re të veçantë penale për të cilat ai do bëhet përgjegjës gjer më një krahas përgjegjësive të rënda ligjore e penale që mban si njeriu më kryesor i djegësit të Tiranës.
Të pretendosh se je viktimë apo më së paku myshteri i ustallarëve Zoto dhe Mërtiri do të thotë të tallesh jo vetëm me veten tënde por me drejtësinë dhe mbarë publikun shqiptar. Është Erion Veliaj padroni i djegësit të Tiranës i cili për të çelur dyert e aferës së vjedhjes së shekullit ndryshoi strategjinë e trajtimit të mbetjeve nga depozitim seleksionim riciklim e zgjerim landiflli në koncesion me inceneratorin e Tiranës. As Zoto e as Mirel Rama nuk mund të vendoste e t’i diktonte një vendim të tillë kreut të bashkisë Tiranë pa shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve. Erion Veliaj, dua të them këtu se përveç përmbysjes së strategjisë ka patur rol kryesor në dhënien me koncesion privat të djegieve të mbetjeve të Tiranës, gjë që ndryshonte në mënyrë substanciale nga Fieri e Elbasani që ishin prokurime publike të objekteve me çelësa në dorë.
Erion Veliaj është arkitekti i djegësit prej 128 milionë euro, i cili duhet të ndërtohej i tëri me paratë e koncesionarit, por që më vonë u kalua se do ndërtohej me paratë e taksapaguesve. Në 30 vite do i paguanim kompanisë së Veliajt deri në 750 milionë euro. Janë përfaqësuesit e Erion Velisë në komisionin e dhënies së koncesioneve që kanë luajtur rol përcaktues në dhënien e bonusit prej 8 pikësh një kompanie që nuk ekzistonte kund mbi dhe.
Është Edi Rama-Agaçi, Erion Veliaj, autorët e bonusit famëzi të një ndërmarrjeje që nuk ekzistonte. Është Veliaj që me 5 shkresa radhaz ka insistuar përmes Alqi Bllakos pranë ministrisë së Financave për leverdishmërinë e ndërtimit të djegësit të Tiranës. 4 herë me radhë kjo kërkesë është refuzuar nga ministria, herën e pestë është pranuar pasi Veliaj ka falsifikuar vendimin në emër të këshillit të qarkut të Tiranës se ato do mbulonin me shpenzimet e tyre djegësin e Tiranës.
Veliaj është padron i djegësit të Tiranës dhe ka paraqitur vendimin e falsifikuar të Këshillit Bashkiak për pagesat e inceneratorëve. Veliaj është personi që për 6 vite ka marrë tarifën 29 euro për ton mbetjesh pa djegur 1 kg të tillë.
Në vitet 2019-2020, Bruno Preseci, Franko Tosi kanë ardhur me charter disa herë dhe kanë takuar Erion Veliaj. Sipas burimeve, një takim tjetër të tillë e kanë bërë edhe para 3 muajsh dhe janë larguar po me charter. Çfarë pritet prapa këtyre fakteve? E sigurt që fshihet veprimtaria kriminal e Veliajt.
Për të gjithë ata që janë të interesuar që ky problem të zbardhet deri në fund, unë deklaroj se një kusht i tillë mund të plotësohet në rast se Alqi Bllako ose Etleva Kondi merren si të penduar të drejtësisë. Nesër do keni informacione më të gjera”, u shpreh Berisha.