Bota
“Khamenei, Hitleri i ri i Lindjes së Mesme” – Deklarata e Bin Salman që nënshkroi fatin e një rajoni

Në nëntor të vitit 2017, zhurmë e madhe mediatike përshkroi gjithë botën, pas një deklarate që Princi saudit i Kurorës, Mohammed Bin Salman, kishte bërë.
“Lideri Suprem i Iranit (Ajatollah Ali Khamenei) është Hitleri i Lindjes së Mesme”.
Asokohe, u mor si një deklaratë e thjeshtë politike.
Si një cytje që kishte filluar të merrte jetë nga puna në hije e një administrate të re amerikane, por që askush nuk e kishte parë.
Doli nga “hiçi” dhe u mendua se ishte një nxitim.
Por në fakt, sot mund të shihet se ishte deklarata e veçuar ndoshta më e rëndësishme e bërë në Lindjen e Mesme në shekullin e ri.
Ishte ngjizja e një deklarate të një kompulsioni të pritshëm në rajon, por edhe në botë.
“E kemi mësuar ç’ bëri Hitleri në Evropë. Nuk duam që Hitleri i ri i Lindjes së Mesme ta ripërsërisë”, deklaronte Bin Salman me bindjen më të plotë.
Diçka që e përforcoi gjatë një interviste të mëvonshme për emisionin “60 Minutes” në rrjetin amerikan CBS.
Koha e tregoi se deklarata nuk ishte thjesht aty. Me Marrëveshjet e Abrahamit që pasuan ne vitin 2020, u kuptua se pllakat tektonike të politikës po lëviznin.
Disa shtete të lindjes, po shihnin për nga Perëndimi i largët më shumë se kurdoherë.
Hapi u ndal më pas disi për katër vjet, me ndryshimin e administratës amerikane, por është sot më shumë se kurrë, që deklarata e Bin Salman merr peshën që i takonte prej asaj dite, me çfarë është parë në thuajse një javë mes Izraelit dhe Iranit.
Qëndrimet e sotme të MBS-së janë natyrisht më të zbutura, për disa arsye dhe sulmet e Izraelit ndaj Iranit, ai nuk i ka mbështetur.
Një marrëveshje e vitit 2023 e ndërmjetësuar nga Kina i rivendosi lidhjet diplomatike mes Arabisë Saudite dhe Iranit, duke çuar në vizita të nivelit të lartë dhe përpjekje për uljen e tensioneve.
Po ashtu, Arabia Saudite po i jep përparësi stabilitetit rajonal për qëllimet ekonomike të Vizionit 2030, duke kërkuar ulje të tensioneve.
Arabia Saudite dënoi sulmet izraelite ndaj Iranit dhe mbështeti bisedimet e tij bërthamore me SHBA-të.
Megjithatë, tensionet vijojnë të jenë të pranishme, pikërisht prej ambicieve të Republikës Islamike për të pasur armë bërthamore.

