Connect with us

Shkrime

Kim Mehmeti: Rama dhe opozita kosovare, po luftojnë Kurtin apo Vuçiçin

Njeriu duhet të jetë i ndershëm dhe të mos ia mohoj Kryeministrit aktual të Shqipërisë dy të arrira të mëdha. E para e arrirë e tij e padiskutueshme është ndihma që ia dha Vuçiqit në betejën kundër Kurtit dhe Kosovës. Ndihmë të shpërfaqur nëpërmjet përkrahjes së tij të projekteve serbo-ruse, si ai për “Ballkanin e hapur”, e që kishin për qëllim që Vuçiqin ta tregonin si projektues të së ardhmes ‘stabile’ të Ballkanit, e Kosovën dhe qeverinë e saj, si tjerrëse të së shkuarës tragjike.
Ndërkohë duhet thënë se kjo e arrirë e Kryeministrit të Shqipërisë, ia mundësoi Presidentit serb të arrinte atë që nuk ia doli Millosheviqi: ta realizojë ‘Serbinë e madhe’ duke i mbajtur nën ‘kontroll’ Bosnjën dhe Kosovën.
Gjithashtu duhet theksuar se si prodhim i tri dekadave të shkuara, që në Shqipëri prodhuan shumë pleh, grindje dhe ligësi politike, Kryeministri i sotëm i Shqipërisë mbase edhe nuk mund të bënte asgjë më shumë se sa ta ndihmonte Vuçiqin dhe opozitarët e Kosovës në betejën kundër Albin Kurtit.
Suksesi i dytë madhor i ‘Piktorit’ është ai që ka të bëjë me pandjeshmërinë e shqiptarëve ndaj hajdutërisë dhe kriminalizimit të vendit. Gjë që u arrit nëpërmjet aferave të hajnisë që e mbulonin njëra tjetrën, duke qenë e ardhmja më e madhe se e mëparshmja. Me çka populli i hutuar as që e vërente se regjimi i ‘Rilindjes’ e deshqiptarizoi Shqipërinë po aq sa Presidenti serb Luginën e Preshevës.
Duhet pranuar se Kryeministri i Shqipërisë nuk gënjen kur thotë se hajdutëria dhe krimi i organizuar janë dukuri që ndodhin kudo nëpër botë. Po, ato ndodhin në Kolumbi e në shumë vende tjera ku nuk ka kufi ndarës mes politikanit dhe kriminelit, por jo edhe në kontinentin ku jetojmë, jo edhe në këtë Evropë ku vështirë se mund të gjesh popull që fatin e vet do e linte në duart e një kryeministri që s’bënë asgjë tjetër përpos që prodhon baltë politike dhe pluhur që ngrihet pasi që kjo baltë të jetë tharë.
Kryeministri i Shqipërisë nuk gënjen as kur pohon se hajdutëria, kanabizimi dhe shpopullimi i mëmëdheut atë nuk e shqetësojnë. Mbase ngaqë regjimi i tij e kontrollon krimin, apo pse ai regjim nuk ka as ndjeshmëri kombëtare as atdhetare, pse i është përkushtuar vetëm një qëllim: ta bëjë të padukshme dorën që e mbanë në xhepin e popullit.
Dhe ku ta dish, mbase e keqja e mëmëdheut nuk ka të bëjë me regjimin e ‘Rilindjes’ që në çdo gjë ka dështuar dhe, as me Kryeministrin e saj që mbijeton duke përçarë shqiptarinë, por pse shqiptarëve nuk u pengon pse Shqipëria është bërë mëmëdhe i hajdutëve dhe kriminelëve, siç nuk u pengon pse ka burrështetas që ia kanë dalë t’i korruptojë edhe spiunët amerikan!
Sidoqoftë mbete e vërteta se mospasja turp nga populli ka të bëjë me karakterin dhe moralin njerëzorë të Kryeministrit të Shqipërisë. Por mospasja e tij frikë nga populli pasqyron rrënimin e vlerave që ndër shekuj e karakterizonin shqiptarinë, vlera që nuk ia lejonin askujt që ta njollosë e të tallet me dinjitetin kolektiv të popullit. (Kim Mehmeti)
Advertisement