Connect with us

Bota

Kina i jep prioritet marrëdhënies me Europën. Xi Jinping: Ndërsa bota hyn në një periudhë të re turbulence dhe ndryshimi…

Presidenti i Kinës, Xi Jinping ka nisur zyrtarisht turin e tij në Europë, teksa vizitën e tij të parë e ka zhvilluar në Francë. Udhëheqësi kinez u mirëprit në oborrin e Elysse nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

E pranishme në tryezën e bisedimeve ishte edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen. Bashkëpunimi i BE-së dhe Kinës në fushën e tregtisë ishte në fokus të dialogut.

Macron dhe  on der Leyen i kërkuan presidentit të Kinës Xi Jinping të sigurojë tregti më të” ekuilibruar” ku në fokus duhet të jenë kushtet e barabarta të bizneseve.

“Situata ndërkombëtare e bën dialogun BE-Kinë më të rëndësishëm se kurrë. E ardhmja e kontinentit tonë do të varet nga zgjidhja që do gjejmë për të përmisuar në mënyrë të ekuilibruar marrëdhëniet tona me Kinën”, tha Macron.

“Bashkimi Europian dhe Kina duan marrëdhënie të mira dhe duke pasur parasysh peshën globale të Kinës, angazhimi ynë është kyç për të garantuar respekt të ndërsjellë, për të shmangur keqkuptimet dhe për të gjetur zgjidhje për sfidat globale”, tha von der Leyen.

Në komente të shkurtra publike përpara se bisedimet të vazhdojnë me dyer të mbyllura, Xi deklaroi se ai i shikon marrëdhëniet me Europën si një prioritet të politikës së jashtme të Kinës dhe se të dy duhet të qëndrojnë të përkushtuar ndaj partneritetit.

“Ndërsa bota hyn në një periudhë të re turbulence dhe ndryshimi, si dy forca të rëndësishme në këtë botë, Kina dhe Evropa duhet t’i përmbahen pozicionimit të partnerëve, t’i përmbahen dialogut dhe bashkëpunimi”, tha Xi Jinping.

Mosmarrëveshjet mes BE-së dhe Kinës në tregti lidhen kryesisht me subvencionet që mund të vendosë blloku për makinat elektrike.

Shefi i tregtisë i Komisionit Europian la të kuptohet se tarifat për automjetet elektrike kineze mund të vendosen deri në qershor.

Advertisement