Bota
Kina nis ndërtimin e hidrocentralit më të madh në botë

Kina ka filluar ndërtimin e një prej projekteve më të mëdha energjetike në historinë e saj: një hidrocentral monumental në lumin Yarlung Tsangpo, i cili kalon përmes territorit tibetian. Ky projekt është cilësuar nga kryeministri Li Qiang si “projekti i shekullit” dhe pritet të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në furnizimin me energji të vendit.Lajmi u bë i njohur gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar të shtunën në rajon, duke nxitur një rritje të tregjeve kineze për shkak të pritshmërive të larta që shoqërojnë këtë megaprojekt. Ai është pjesë e Planit të 14-të Pesëvjeçar të Kinës, i cili u paraqit për herë të parë në vitin 2020.Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, hidrocentrali do të ndërtohet në pjesën e poshtme të lumit dhe do të përfshijë pesë stacione kaskadë, duke prodhuar rreth 300 milionë megavat orë energji elektrike çdo vit. Ky projekt ka një kosto të përllogaritur prej 1.2 trilionë juanësh (afërsisht 124 miliardë paund), dhe është shumë më i madh se diga e “Tri Grykave”, që kushtoi 254 miliardë juanë dhe prodhon 88 milionë MWh në vit.Pavarësisht rëndësisë dhe përmasave të projektit, ende nuk janë dhënë informacione të detajuara mbi afatet apo fazat e ndërtimit, ndërsa shifrat e fundit tejkalojnë ato që u parashikuan në vitin 2020.Megjithatë, ky projekt ka sjellë edhe shqetësime ndërkombëtare. India, Bangladeshi, grupe tibetiane dhe organizata mjedisore kanë ngritur alarmin për pasojat e mundshme. Lumi Yarlung Tsangpo, që në Indi njihet si Brahmaputra dhe në Bangladesh si Jamuna, është një burim jetik për miliona njerëz në rajon. Shtetet e prekura shprehin shqetësimin se diga mund të ndikojë në rrjedhën e ujit dhe në sasinë e tij, duke rrezikuar furnizimin me ujë për një popullsi të madhe.Në një intervistë për BBC, Neeraj Singh Manhas, një këshilltar për Azinë Jugore, paralajmëroi se Kina mund ta përdorë këtë ujë si një mjet presioni, duke e bllokuar ose devijuar sipas interesave të veta. India ka shprehur zyrtarisht shqetësimet e saj që prej dhjetorit, dhe i ka ribërë ato gjatë takimeve të ndryshme dypalëshe.Përveç shqetësimeve ndërkombëtare, grupet tibetiane kanë theksuar mungesën e transparencës për sa i përket zhvendosjes së mundshme të popullsisë dhe ndikimit që mund të ketë ky projekt në zonat e shenjta të budizmit në rajon. Protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve në këtë zonë janë bërë gjithashtu të shpeshta, me arrestimin e qindra protestuesve në vitin 2023 për një projekt të ngjashëm në lumën Yangtze.Po ashtu, mjedisoreve u shqetëson ndikimi i mundshëm në biodiversitet dhe rreziqet gjeologjike të zonës, si rrëshqitjet e dheut dhe aktivitetet sizmike. Autoritetet kineze kanë mbrojtur projektin, duke theksuar se ai do të krijojë vende pune, do të nxisë zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe do të sigurojë një furnizim të qëndrueshëm me energji për të ardhmen. Kryeministri Li Qiang deklaroi gjatë ceremonisë se është e domosdoshme të mbahet parasysh ruajtja e ekosistemit për të shmangur dëmtimet mjedisore.Me ndërtimin e kësaj megadige, Kina do të forcojë pozitat e saj si prodhuesja më e madhe e energjisë hidroelektrike në botë, me një projekt që pritet të jetë më i madh se çdo hidrocentral tjetër deri tani. Ai do të shfrytëzojë një rënie prej 2 kilometrash të lumit brenda një segmenti 50-kilometërsh, duke kaluar nëpër një kanion të thellë.

