Connect with us

Aktualitet

Kisha Ortodokse Shqiptare zgjedh sot Kryepeshkopin e ri, amaneti i Janullatosit: Kishën ta drejtojë një klerik shqiptar

Sinodi i Shenjtë i kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë do të mblidhet ditën e sotme për të zgjedhur kryepeshkopin e ri, pas vdekjes së kryepeshkopit Anastas Janullatos. Sipas Sekretares së Sinodit të Shenjtë, procesi i zgjedhjes do të zhvillohet në Qendrën Sinodike dhe do të jetë një moment i rëndësishëm për Kishës Ortodokse, pasi do të përcaktojë udhëheqësin e ri të Kishës dhe të besimtarëve ortodoksë në Shqipëri. Ndërkohë vetë kryepeshkopi i ndjerë në amanetin e tij i cili u hap pak ditë më parë kishte shkruar që në vendin e tij të emërohej një klerik shqiptar.

Sinodi i Shenjtë i Kishës do të mblidhet pas Liturgjisë Hyjnore dhe pasi të merret vendimi, kryepeshkopi i ri do të hyjë në Katedrale dhe do të japë edhe një mesazh publik. Me shpalljen e emrit të Kryepeshkopit të ri, bien kambanat në të gjitha katedralet dhe kishat e Shqipërisë.

5 nga 7 anëtarët e Sinodit të Shenjtë janë shqiptarë. Në Mitropolinë e Korçës, Hirësia e tij Joani; në Mitropolinë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësia e tij Asti; në Mitropolinë e Apolonisë dhe Fierit, Hirësia e tij Nikolla; në Mitropolinë e Elbasanit, Hirësia e tij Andoni dhe episkopi i Krujës, Hirësia e tij Anastasi.

Anëtarët e tjerë të Sinodit janë mitropolitët e Amantias dhe Gjirokastrës, Nathanaili dhe Dhimitri, që janë shtetas grekë, por që nuk mund të jenë në krye të Kishës për shkak se nuk plotësojnë kriterin e kombësisë shqiptare sipas Statutit të miratuar në vitin 2006.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të 25 janarit. Ai ndodhej prej 30 dhjetorit të 2024-ës i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë për shkak të një viroze stine. Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar. Pas disa ditëve luftë me jetë kryepeshkopi mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e 25 janarit.

Advertisement