Aktualitet
Klaudio Ndoja rikthehet në Shqipëri, tashmë si pjesë e stafit menaxhues të Federatës Shqiptare të Basketbollit
Klaudio Ndoja, ish basketbollisti i Kombëtares dhe kampion i Italisë me Virtus Bologna, do të jetë menaxheri i ri i Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Prezantimi i tij u bë ditën e sotme nga Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, në prani edhe të Sekretarit të Përgjithshëm Franko Bushati.
Gjatë fjalës së tij, z. Ponari tha ndër të tjera se, afrimi i Ndojës do të sjellë një frymë të re në Federatë dhe eksperienca e tij e vyer, disa-vjeçare në Itali, do të ndikojë pozitivisht në rimodelimin që FSHB po ndërmerr dhe në afrimin e talenteve të rinj, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
“Jam këtu për të bërë një prezantim të ri. Klaudio Ndoja, ish lojtar i Kombëtares. Një nga lojtarët më të mirë në ligën italiane, ku ka luajtur për shumë vite. Një djalë që ka gëzuar respektin e sportit në Itali, ka vendosur ti bashkohet ekipit menaxhues të Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Ai do të jetë në drejtimin e ekipeve kombëtare në Shqipëri, çka përfshin gjithçka mund të bëjë me gjithë eksperiencën e tij prej vitesh në Itali që i sjell këtu bashkë me Frankon, që është Sekretar i Përgjithshëm i Federatës.
Unë besoj se krijimi i një grupi të ri në drejtimin e Federatës, krijimit të një strukture të re me detyra specifike, me ndihmën edhe të Frankos, do të ndihmojë në përpjekjet për të bërë më të mirën për basketbollin shqiptar”, tha ndër të tjera Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.
Ndërkohë, vetë Ndoja u shfaq shumë i emocionuar teksa falenderoi Presidentin Ponari për besimin e dhënë. Ndërsa duket i qartë në objektivat e tij.
“Ai që basketboll jashtë, që duket i paarritshëm, ta sjellim edhe në Shqipëri. Ky është qëllimi im. Falenderoj Presidentin Ponari sepse një ftesë të tillë nuk mund ta refuzosh”, u shpreh Ndoja.
Klaudio Ndoja, i cili do të emigronte me familjen në vitin e mbrapshtë 1997, kur ishte vetëm 13 vjeç, është një emër i njohur për sportin në Itali.
Desio ishte skuadra e tij e parë në 2001, më pas dy ngjitje në Serie A me Brindisin dhe Virtus Bologna-n, tre kupa të Italisë dhe titulli kampion si kapiten.
Ndoja është edhe autor i një libri në shtetin përtej Adriatikut, “Vdekja është e sigurt, jeta jo”. Ka takuar madje edhe Papën, por asnjëherë nuk e ka harruar origjinën e tij, Shkodrën dhe Shqipërinë ku kthehet sot për të dhënë kontributin e tij në rritjen cilësore të sportit të basketbollit në të gjitha grupmoshat.