Aktualitet
Klodiana Lala shpërthen ndaj Qeverisë: Zvarrit çështjen e mbetjeve të rrezikshme të “Kurum”
Prej disa muajsh kontejnerët me mbetje të kompanisë “Kurum” janë magazinuar në Spitallë të Durrësit, në pritje të kryerjes së analizave që do t’u bëhet nga Prokuroria e Durrësit. Por kanë kaluar disa muaj dhe deri më tani nuk është marrë asnjë masë hetimore, përveç marrjes në pyetje të disa zyrtarëve dhe pronarëve të kompanive të përfshira në këtë çështje. Por përse ka ndodhur gjithë kjo shtyrje? Pse nuk po hetohet Kurum?
Gazetaret Ola Xama dhe Klodiana Lala deklaruan se hetimet po zvarriten qëllimisht nga qeveria.
Ola Xama: Nëse do ta vrasësh një çështje, zvarrite. Disa heshtin, disa blihen, kështu do të shkojnë edhe hetimet. Me sa kemi parë, pjesa kryesore që fakton nëse kemi trafik të mbetjeve të rrezikshme është marrja e mostrave. Kontejnerët erdhën, prokuroria duhet të kryejë veprimin, të kuptojë nëse janë mbetje të rrezikshme. Ende ka zvarritje, nuk gjejmë laboratorin, e me rradhë.
Klodiana Lala: Qeveria po ushtron të gjithë ndikim e vet që kjo çështje të mos hetohet dhe po bën përpjekje për ta zvarritur. Prokuroria ka bërë shkresa dhe kërkon ekspertë për mostrat. Kanë kaluar dy muaj dhe nuk ka përgjigje se kush është eksperti që do marrë mostrat. Nëse nuk ka laborator duhet të shkojnë jashtë vendit. Kompania transportuese thotë më ktheni kontejnerët se duhet të vazhdoj aktivitetin. Kush fiton këtu? Kurum, që vijon aktivitetin. Së dyti, kompania eksportuese që vijon aktivitetin. Po ashtu, parashkruhen veprat penale për të gjithë zyrtarët e përfshirë.
Por si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale?
Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t’u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës. Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri. Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.
Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si “oksid hekuri” një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme. Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt. Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se “informacioni mund t’u jepet vetëm klientëve”. Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.
Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.
BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve. Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28. Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë. Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës “Kurum” për t’i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët