Connect with us

Kosova

KMDLNJ dënon ashpër kërcënimin me jetë ndaj presidentes Osmani: Policia të veprojë me urgjencë!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, KMDLNj ka reaguar në lidhje me raportimet për kërcënimet me jetë që i janë drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani përmes postës elektronike.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se kërcënimet nuk ndërlidhen me detyrimet kushtetuese që ka presidentja duke lënë të nënkuptohet se motivet e mundshme mund të jenë politike. Organizata e të drejtave të njeriut ngre alarmin për një trend në rritje të përdorimit të kërcënimeve si mjet politik.

“Kohëve të fundit, shkaku i një eskalimi të raporteve ndërpartiake, është sforcuar kërcënimi si mjet për arritjen e qëllimeve politike”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj thekson se përveç figurave politike dhe publike, gazetarët janë vazhdimisht të kërcënuar, ndërkohë që dënimet për këto raste vazhdojnë të jenë “thuaja simbolike”. Në deklaratën e saj, KMDLNj e dënon fuqishëm aktin ndaj Presidentes Osmani dhe bën thirrje për hetim të menjëhershëm.

“KMDLNj e dënon kërcënimin ndaj Presidentes Osmani dhe kërkon nga Policia që ta trajtojë këtë dhe rastet e ngjashme me urgjencë, në mënyrë që të parandalojnë pasoja më të rënda. Policia e Kosovës ka kapacitet të mjaftueshëm profesional dhe përvojë të suksesshme në trajtimin e këtyre rasteve, andaj pritet që kërcënuesi të arrestohet shpejt dhe të japë përgjegjësi para ligjit”, thuhet në fund të reagimit.

Bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Prindon Sadriu ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke përmendur dhjetëra kërcënime të përsëritura dhe të drejtpërdrejta me jetë ndaj Vjosa Osmanit dhe anëtarëve të familjes së saj.

Sadriu përmes një postimi në “Facebook” shkruan se kërcënimet nuk janë të rastësishme dhe të izoluara, por të vazhdueshme. Ai theksoi se këto kërcënime janë bërë nga profile anonime, por edhe nga individë publikë me emër e mbiemër.

Sadriu i cilëson këto si thirrje të hapura për dhunë, që nuk targetojnë vetëm individin, por vetë institucionin e Presidentes së Republikës. Ai thekson se përveç kërcënimeve, janë shfaqur edhe shpifje të fabrikuara, të cilat kanë për qëllim të nxisin urrejtje dhe të krijojnë një klimë ku dhuna perceptohet si e justifikuar.

Në reagimin e tij, ai kritikon ashpër mungesën e reagimit institucional ndaj këtyre kërcënimeve. Sadriu e cilëson heshtjen e institucioneve si bashkëfajësi, duke paralajmëruar se kjo situatë paraqet rrezik serioz jo vetëm për sigurinë e Presidentes dhe familjes së saj, por edhe për vetë stabilitetin institucional.

Advertisement