Connect with us

Aktualitet

“Kodi i ri penal, rrezik censure”/ Juristët kundër ndryshimeve: Propozimet e reja rrezikojnë fjalën e lirë

Burg për komente që mund të ndikojnë vendimmarrjen e gjykatës si dhe për publikuesit që zbulojnë të dhëna sekrete të hetimit.

Këto janë disa nga ndryshimet që propozohen në Kodin Penal, të cilat po kundërshtohen në publik si një përpjekje për të kufizuar fjalën e lirë.

“Duket se ka një nxitim prej tyre duke mos marr parasysh rekomandimet e BE-sw dhe vendimet e Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut që lidhet me lirinë e fjalës. Kodi ynë penal është një nga më të ndryshuarit, duke bërë propozime pa u marr mendimi i ekspertëve, grupit të interesit, pa u bërë një parashikim se nëse bëjmë këto ndryshime ku do arrijmë? Kjo është shumë e rrezikshme. Ato propozime e masa dënimesh që shkon gjobë deri në 4 vite burg janë drastike. Forma represive e cila është aplikuar në këto nene”, shprehet avokati Olti Malasi.

Avokati Olti Malasi, vlerëson se neni i ri 536, i cili parashikon dënim me burg për komentet para dhënies së një vendimi gjyqësor që synojnë ndikimin në aftësinë e gjykatës, hap rrugë për censurë të çdo analize apo kritike të pavarur që ka në fokus proceset gjyqësore, sidomos ato me interes publik.

“Gjykata nuk mundet të ndikohet nga komente e deklarata. Gjykata është e pavarur dhe duhet të jap vendimin në bazë të provave që i paraqiten. Nuk është e arritshme të monitorohen komentet që bëjnë të gjithë njerëzit. Ne burokracitë i kemi të pafundme jo më të shtojmë edhe nene të tilla kush bën komente lart e poshtë, në rrjete sociale, televizione, apo në salla gjyqesh”, tha Malasi.

Propozimi për të penguar rrjedhjen e të dhënave të hetimit penal, mund të përdoret sipas ekspertëve për të ndëshkuar gazetarinë hulumtuese dhe për të ndaluar informacionin që i shërben interesit publik.

“Propozimi që i është bërë këtij neni është i përgjithshëm dhe lë vend për interpretime të ndryshme. Ne nuk mundet të konsiderojmë gjithë dosjen sekret hetimor. Është cenim në radhë të parë për mbrojtjen që duhet të ketë të gjitha aktet në dorë për një mbrojtje dinjitoze; por gjithashtu edhe publiku në çështje të caktuara duhet të informohet”, shpjegoi avokati.

Avokatët paralajmërojnë se do të kërkojnë rishikimin e dispozitave dhe mendojnë se është nevoja e një debati të gjerë publik përpara miratimit në Kuvend.

Advertisement